April 28, 2024
Shqipëri

Rama: Është e nevojshme të rritet numri i forcave të NATO-s në Kosovë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur fjalën e tij në konferencën e përbashkët në Shkup me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg dhe liderët e rajonit.
Ai tha se është me rëndësi të shtohen forcat e NATO-s në Kosovë dhe të mbahet nën kontroll kufiri i cili aktualisht është të shërbim të aktiviteteve ilegale të trafikimit të armëve, drogës dhe aktiviteteve të cilat më pas ngatërrohen dhe me aktivitetin politik me sfond ultra nacionalist që shkakton devijime të rënda siç ishte ai në Banjskë.

“Jam i keqardhur për faktin që pavarësisht thirrje të përsëritura për të shtuar në mënyrë të ndjeshme jo vetëm vëmendjen, por dhe trupat që duhet të garantojnë stabilitet dhe paprekshmëri absolute të Kosovës, ka ndodhur një ngjarje tragjike e cila duhet konsideruar një paralajmërim dhe jo një ngjarje sporadike dhe e cila duhet me çdo kusht të mos përsëritet”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se gjatë takimit ka propozuar ndërtimin e një formati të Samitit të NATO-s me Ballkanin Perëndimor, ku të jenë të pranishëm, jo vetëm vendet anëtare të NATO-s në rajon, por dhe vendet partnere të NATO-s, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që s’janë të pranishme, si dhe pjesa tjetër e vendeve anëtare që janë në kufi me rajonin dhe që kanë interes të drejtpërdrejtë për stabilitetin dhe procesin demokratik të rajonit.

Rama deklaroi sot se jemi të bindur që Kosova duhet të ndihmohet të përshpejtojë integrimin e saj në NATO. Rama falënderoi Presidentin e Kroacisë, i cili në mënyrë të përsëritur i ka bërë jehonë këtij opinioni e në të gjitha tryezat e NATO-s dhe pa diskutim ndaj me të bindjen absolute që është absurde që Kosova të pengohet në këtë proces.

Ndërkohë, vijoi Rama, që të gjithë së bashku në NATO, jemi jo vetëm të vëmendshëm, por edhe të angazhuar në Kosovë.

Sipas Kryeministrit, kahja euroatlantike e Kosovës është jashtë çdo lloj diskutimi.

“Ndërsa hezitimet për ta njohur Kosovën nga vende të Bashkimit Evropian dhe vendet e NATO-s janë jehonë e një të shkuare që është gjithmonë e më pak relevante në krahasim me të tashmen që sjellë sfida të reja dhe kërkon më shumë unitet dhe shumë më të tepër vështrim strategjik”, tha Rama.