May 7, 2024
Maqedoni

Qytetarët të habitur: Pse Qeveria “ngrin” çmimin e bukës në 33 denarë, kur shumë e shitore e shesin 25 denarë?

Nga nesër në markete do të ketë bukë për 33 denarë. Industria e fabrikave të bukës akuzon se janë viktimë e marrëzisë, pasi vendimet e qeverisë janë në dëm të tyre. Bukëpjekësit bëjnë të ditur se do të padisin shtetin me arsyetimin se për shkak të çmimit jofitimprurës me të cilin duhet të shesin bukën në fund të majit, do të jenë në minus katër milionë euro ndërsa kërkojnë që shuma të rimbursohet. Ata tashmë kanë angazhuar avokatë dhe në ditët në vijim do ta kërkojnë drejtësinë përmes gjykatave.

“Vendimet e Qeverisë i shkaktojnë industrisë dëme dhe humbje të mëdha, mbi një milion euro në muaj. Për shkak të humbjeve, industria është e detyruar t’i përshtatë dhe t’i reduktojë ato me lloje të caktuara buke, por edhe të reduktojë numrin e të punësuarve”, tha Goran Malishiq – industria e mullisëve.

Mirëpo qytetarët janë të habitur nga vendimi i Qeverisë për të “ngrirë” çmimin e bukës në 33 denarë, kur shumica e shitoreve e shesin nga 25 denarë. Ata thonë se Qeveria në këtë mënyrë po stimulon shtrenjtimin.

Një pjesë e tyre madje mendojnë se përplasjet mes Qeverisë dhe disa prodhuesve, janë të rrejshme.

“Mendoj se Qeveria po aktron se është duke mbrojtur qytetarët, por në fakt po mbron prodhuesit e mëdhenj të bukës duke u munduar ta betonon çmimin në 33 denarë, me çka po i nxit edhe ata që shesin bukën për 25 denarë të rrisin çmimet. Mendoj se qeveria dhe prodhuesit po e shtrenjtojnë bukën në kohën kur çmimi duhet të jetë nën 30 denarë edhe atë duke aktruar se kanë sjellur vendim në interes të qytetarëve”, thotë Danko Krstevski, banor i komunës Qendër në Shkup.

Malishiq nuk është përgjigjur saktësisht se sa kushton prodhimi i një buke të bardhë, ai thotë se çdo furrë ka matematikën e saj. Nuk ka dashur të komentojë as atë se si është e mundur që furrtarët nga brendësia e vendit ta shesin bukën për më pak se 30 denarë dhe për këtë të kenë leverdi.

Qeveria ka marrë vendim që detyron furrtarët të dorëzojnë 80 për qind të sasisë së bukës që kanë shpërndarë në treg në dhjetor të vitit të kaluar. Nëse nuk e respektojnë, do të sanksionohen nga Inspektorati Shtetëror i Tregut. Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha për Alsat se kjo masë është marrë për të kufizuar fitimet e kompanive në një kohë krize dhe inflacion të lartë. Nëse ky vendim nuk respektohet, ndëshkimet janë rigoroze.

“Fillimisht, sipas nenit 30, dispozitat kundërvajtëse është paraparë të jenë tetë mijë euro dhe nëse përsëritet, atëherë do të veprojmë sipas dispozitave tjera ligjore. (Çfarë thonë dispozitat e tjera ligjore?) Ligji për mbrojtjen e konsumatorit për praktikat e padrejta tregtare parashikon edhe ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë, por nuk duam të shkojmë me ato masa”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë

Furrat e mëdha tre ditët e fundit nuk e kanë respektuar masën e Qeverisë për shitjen e bukës së bardhë prej 450 gramësh me çmim prej 33 denarë. Kryeministri Dimitar Kovaçevski informoi sot se Qeveria është duke analizuar nëse në periudhën e ardhshme do të ketë hapësirë ​​për ngrirje të çmimeve edhe të produkteve të tjera ushqimore.