October 8, 2024
Maqedoni

ASH-Alternativa: Cili ishte motivacioni i mirënjohjes së “tigrave” për Artan Grubin?

Dje, kur njësiti policor “Tigrat” shënoi 40-vjetorin e themelimit, çuditërisht në të u ndanë mirënjohje edhe për dy shqiptarë: zv./kryeministrin, Artan Grubi, dhe zv./ministrin e Punëve të Brendshme, Nazim Bushi.
Duke e ditur veprimtarinë e këtij njësiti që nga demonstratat e ’81-shit e ’89-tës në Kosovë, përmes rasteve si Bit Pazari, Ladorishti, UT-ja, e deri te vrasja e civilëve në f. Luboten, është e qartë se ky njësit monoetnik maqedonas ka pasur arsye të kremtojë dhe t’u ndajë mirënjohje atyre që kanë qenë të suksesshëm në vrasjen dhe rrahjen e shqiptarëve, por meqë çdo mirënjohje ka një motivacion, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA shtron pyetje publike se cili ka qenë motivacioni i mirënjohjes së këtillë për dy shqiptarët e këtij pushteti? Cila është merita e Artan Grubit dhe e Nazim Bushit për ato aksione 40-vjeçare antishqiptare të “tigrave”? Madje, mirënjohja e tyre vjen vetëm një ditë pasi lideri i tyre mburrej me demonstratat e 81-shit.
Sidoqoftë, Koalicioni ASH & AAA thekson se njësiti “Tigrat”, që edhe sot është monoetnik – pra vetëm maqedonas, do të mbetet për shqiptarët një njësit që do të mbahet mend për aksione antishqiptare, ndërsa ata që marrin mirënjohje prej tyre, i paçin me shëndet!

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA