May 2, 2024
Maqedoni

Detaje nga aksidenti i trefishtë në Shkup-Tetovë: Viktima është një 45-vjeçar

Banori i Tetovës, i moshës 45-vjeçare, me iniciale F.R., është burri i cili e humbi jetën në fatkeqësinë e komunikacionit sot pasdite në autostradën Shkup-Tetovë në afërsi të mbikalimit për Trebosh. Gjatë ekspertizës së SPB Tetovë u konfirmua edhe identiteti i dy personave të lënduar, mashkull dhe femër nga Tetova.

“Në vendin e fatkeqësisë jetën e humbi F.R. (45) nga Tetova. Të lënduar janë E.K. (22) nga Tetova i cili kishte lëndim të rëndë trupor-thyerje të këmbës si dhe E.L. (31) poashtu nga qyteti, e cila mori tronditje në tru dhe është mbajtur për observim në spitalin klinik të Tetovës. Ekspertizë në vendin e ngjarjes kreu ekipi i SPB Tetovë dhe prokurori publik. Me urdhër të prokurorit do të bëhet obduksioni i personit të vdekur”, informoi zëdhënësi i SPB Tetovë, Marjan Josifovski.

Policia konfirmoi se në fatkeqësinë e komunikacionit morën pjesë tre automjete, opel, pezho dhe golf, si dhe një automjet ngarkues mercedes. Ka filluar hetimi në mënyrë që të konfirmohen shkaqet e fatkeqësisë./tv21