May 18, 2024
Dossier

PËRKUJTIM: Ismet Jashari – Komandant Kumanova, në 25-vjetorin e rënies heroike!

Shkruan: Prof.d-r. Minir ADEMI

Njëri ndër personalitetet më të rëndësishme që lanë gjurmë të pashlyeshme në murin e historisë së lavdishme të Kosovës, pa dyshim ishte edhe biri i Kumanovës dhe i mbarë Shqiptarisë, Ismet Jashari.
Lindi në fshatin Orizare të Kumanovës më 16 prill të vitit 1967. Ishte i biri i Jashar dhe Nurie Jasharit. Ai rridhte nga një familje me vlera të larta atdhetare. Dy vëllezërit e tij më të mëdhenj, Xhemajli dhe Murati, që herët zhvillonin veprimtari kombëtare. Ata kishin përkrahur kërkesat e bashkëkombësve në Kosovë, të shprehura në demonstratat e mars-prillit të vitit 1981. Për këtë arsye ishin arrestuar dhe dënuar nga regjimi i atëhershëm jugosllav. Veprimtaria dhe angazhimi i tyre në shërbim të çështjes kombëtare patën ndikimin edhe në formimin e personalitetit të Ismetit. Që në moshë të re, ai ndoqi gjurmët e vëllezërve të tij më të mëdhenj. Pasi mori mësimet e para në shkollën fillore të vendlindjes, Ismet Jashari regjistrohet në Shkollëne Mesme Ekonomike të Kumanovës, në vitin 1982. Por, për shkak se, siç u lajmërua që: “në fletoret e tij janë gjetur shkrime me përmbajtje nacionaliste”, organet e pushtetit të atëhershëm shtetëror maqedonase e përjashtuan në vitin e dytë, me çka ai u detyrua të vazhdonte shkollimin e mesëm në Preshevës në drejtimin e makinerisë, ku edhe i përfundoi me sukses.

Për shkak të ndjekjeve dhe presionit të vazhdueshëm të pushtetit jugosllav, ashtu si shumë veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare, edhe Ismet Jashari detyrohet të emigroj në Zvicër, aty ku jetonin dhe vepronin edhe shumë atdhetarë të tjerë shqiptarë. Atje, vazhdoi veprimtarinë atdhetare, në kushte dhe rrethana të reja. Asokohe ishte në kontakt të vazhdueshëm me vëllezërit, Muratin e Xhemajlin, si dhe me shumë bashkëveprimtarë të tyre, të cilët zhvillonin aktivitet propagandues çlirimtar. Në Zvicër dhe vende të tjera evropiane ai mori pjesë në shumë tubime, demonstrata e organizime të ndryshme në përkrahje të çështjes kombëtare.

Ismeti i takon brezit militant atdhetar, i cili gjithmonë veproi në mbështetje të idesë për t’iu kundërvënë me forcë pushtuesit. Ai, së bashku me bashkëmendimtarët nuk reshti kurrë në veprimtarinë e tij atdhetare për krijimin e kushteve për luftë të armatosur kundër pushtuesve të trojeve etnike shqiptare.
Ismeti ishte ndër të parët që mori pjesë në themelimin e Fondit “Vendlindja Thërret”, i cili u bë bazë kryesore e logjistikës dhe e financimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërsa, menjëherë pasi filluan luftimet midis UÇK-së dhe ushtrisë e policisë pushtuese serbe, ai vendosi që të shkonte në Kosovë, për të marrë pjesë drejtpërdrejtë në frontin e luftës.

Pas Epopesë së Jasharajve të Prekazit, të 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, atdhetari i përkushtuar i luftës çlirimtare, Ismet Jashari, bën përgatitjet e fundit për të hyrë në Kosovë. Më 11 mars të po atij viti, ai bashkë me Fehmie XhevëLladrovcin, MirushDakën, Bekim Berishën, Agim Bajramin, Fatmir Limajn, Haxhi Shalën e të tjerë, futet në zonat ku po vepronte Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe vendoset në Likoc të Drenicës, ku asokohe ndodhej baza më e rëndësishme e saj.Me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari u ngarkua me detyrë ushtarake në zonën e Llapushës, me qëllim të zgjerimit dhe konsolidimit të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare.
Që në mars të vitit 1998, Ismet Jashari me bashkëmendimtarët dhe bashkëluftëtarët e tij: Fatmir Limajn, Haxhi Shalën, Sadik Shalën e të tjerë, formojnë njësitin ushtarak “Çeliku”, me bazë në Kleçkë. Ismeti me bashkëveprimtarët e tij ishin luftëtarët e lirisë që reflektonin shpresë dhe frymëzim për të gjithë ushtarët dhe popullatën civile.Që në fillim të përfshirjes së tij në luftë, Ismetin, bashkëluftëtarët e thërrisnin me pseudonimin “Kumanova”.

Në prill të vitit 1998, Ismet Jashari i ngarkuar me detyrë ushtarake ndodhej në Dukagjin. Gjatë kthimit nga atje për në Kleçkë, ra në pritë të forcave serbe te vendi i quajtur Guri i Zi, në mes të fshatrave Volljakë e Çupevë të Klinës. Me atë rast ai plagoset në të dy këmbët. Kur luftëtarët e lirisë arritën ta merrnin nën kontrollin e tyre Grykën legjendare të Llapushnikut, më 9 maj të vitit 1998, Ismet Jashari, ende pa u shëruar sa duhet, mori pjesë aktive në barikadimin e kësaj gryke, e cila u bë barrierë e pathyeshme për forcat armike deri më 27 korrik të po atij viti.Pas zënies së asaj pike tejet të rëndësishme strategjike, Ismet Jashari me bashkëluftëtarët e tij iu afrohet pikave të tjera po aq me rëndësi, në Qafë të Duhlës dhe në Grykë të Carralevës. Në periudhën kohore prej fillimit të majit e deri në mbarim të gushtit të vitit 1998, Ismet Jashari-Komandant Kumanova, Fatmir Limaj- KomandantÇeliku, Haxhi Shala- Komandant Topi, Shukri Buja- Komandant Sokoli e shumë luftëtarë të tjerë të dalluar, përforcuan të gjitha pikat ushtarake në pjesën jugore të Drenicës, duke filluar nga Llapushniku e deri në Qafë të Duhlës, prej Arllatit e deri në Bllacë dhe prej Komoranit e deri ne Blinajë.

Në ofensivën e forcave pushtuese serbe të 25 dhe 26 korrikut të vitit 1998, në Grykë të Llapushnikut dhe në fshatin Zborc afër Grykës së Carralevës, Ismet Jashari me bashkëluftëtarët e tij, Imer Alushani, Gani Kastrati, Nuhi Mazreku, Ali Zogaj, Habib Zogaj e shumë të tjerë, luftuan heroikisht në mbrojtje të pozicioneve ushtarake të UÇK-së. Heroizmi i tij në fushëbeteja bëri që emri i Komandant Kumanovës asokohe të bëhej burim frymëzimi për luftëtarët e lirisë jo vetëm në Drenicë e Llapushë, por në mbarë Kosovën.
Fakti se në luftën e lavdishme për çlirimin e Kosovës luftonin edhe luftëtarë nga trojet shqiptare në Maqedoni, përforconte jo vetëm moralin e ushtarëve, por njëkohësisht i jepte shpresë popullatës civile (e cila, për të mbijetuar nga granatimet serbe, kishte gjetur strehë në pyje e në gryka malesh), se dita e çlirimit të tokës së Kosovës do të ishte e afërt.

Më 23 gusht të vitit 1998, pasi ushtria serbe kishte ndërmarrë të gjitha masat për të depërtuar në drejtim të Kleçkës, ku ndodhej edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari organizoi rezistencën në pikën e tij të pamposhtur, në Bajrak të Luzhnicës. Atë ditë forcat serbe kishin granatuar me të gjitha llojet e armëve të rënda të artilerisë pozicionet e Komandant Kumanovës, i cili printe në ballë të kundërsulmit mbi forcat armike. Në mbrojtje të pozicioneve ishin rreshtuar luftëtarët më të dëshmuar, meqë pika ku armiku bënte përpjekje për të depërtuar në drejtim të Kleçkës ishte me shumë rëndësi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në të njëjtën kohë, forcat serbe kishin sulmuar edhe në drejtim të Tërpezës, të Bllacës e të pikave të tjera përreth Kleçkës.
Më 24 gusht 1998, forcat pushtuese serbe kishin shtuar rrezen e sulmit duke gjuajtur me topa të kalibrave të mëdhenj dhe me raketa tokë-tokë. Pika ushtarake në Bajrak nuk po binte, ndonëse bunkerët po digjeshin. Në mbrëmje, luftëtarët e lirisë kishin depërtuar thellë në pozicionet armike, duke u shkaktuar dëme në njerëz dhe në teknikë lufte. Në mëngjesin e 24 gushtit, aty kah ora 8, u kërkua përforcim nga baza për t’i sulmuar forcat e armikut që kishin depërtuar thellë në Bajrak të Luzhnicës. Në aksion u gjetën trimat e lirisë të cilët para se të merrnin përforcimin, u sulmuan befasishëm nga forcat e armikut. Në këtëbetejë ra edhe bashkëluftëtari i Ismetit, Gani Kastrati-Muxhahedini, ndërsa pati edhe shumë të plagosur. Pas pak, duke iu shkuar në përforcim, ranë dëshmorë edhe dy nga bashkëluftëtarët dhe shokët më të ngushtë të Ismetit, Nuhi Mazreku-Snajperisti dhe Afrim Buqaj – Mësuesi.

Në mbrëmjen e 24 gushtit dhe fillimin e natës së 25 gushtit, Ismet Jasharin –Kumanovën, toka nuk e mbante! Ai kishte vendosur që o ti tërheq trupat e shokëve të rënë dëshmorë (Gani Kastrati,Nuhi Mazreku e Afrim Buqaj) ose të bjerë bashkë me to. Formoi grupin e parë për veprim 5+5,ku përpos tij bënin pjesë edhe Habib Zogaj-Arbri, Shaqir Shala-Dinamiti,Qamil Suka-Urani dhe Valbona Morina-Bardha. Ndërsa, grupi i dytë do ta mbulonte grupin e parë, por pasi t’ju sinjalizonte për ndihmë Komandant Kumanova. Meqë forcat armike serbe i kishin rrethuar në formën e patkoit,ato po i mbanin tre dëshmorët e lirisë deri në momentin kur forcat e UÇK-së do të merrnin sulm për t’i tërhequr. Sipas dëshmive të dhëna nga ushtarët e grupit të parë:Qamil Suka -Urani,Shaqir Shala -Dinamiti dhe Valbona Morina – Bardha, dhe atij të grupit të dytë i udhëhequr nga Xhevat Buçaj-Malësori, me të depërtuar në thellësi të malit për t’i tërhequr shokët, ata u sulmuan për një moment, dhe në kthim të sulmit në luftim e sipër ranë heroikisht dy nga luftëtarët më të shquar të UÇK-së:Ismet Jashari-Kumanova dhe HabibZogaj – Arbri! Kështu, mëngjesi i 25 gushtit 1988 ishte shumë i kobshëm për luftën çlirimtare, ku humbën jetën luftëtarët më të zotë të Atdheut.

Bazuar në të dhënat e Ajet Dakës,pas një kohe, bashkëluftëtarët e Komandant Kumanovës të udhëhequr nga Jetulla Çarri-Komandant Guri , ndërmorën një aksion të guximshëm në afërsi të fshatit Shirokë të Therandës, nga ku arrijnë t’i tërheqin trupat e pesë dëshmorëve, të cilët i varrosin me nderime ushtarake në Kleçkë. Pra, trupat e dëshmorëve të UÇK-së, forcat armike serbe i kishin dërguar dhe varrosur në Shirokë, në përpjekje për t’ua humbur gjurmët.
Sot trupi i dëshmorit të kombit Ismet Jashari prehet në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë, ku pushojnë edhe trupat e 66 dëshmorëve të tjerë të Brigadës 121 “IsmetJashari-Kumanova”.
Në respekt të veprës së tij në luftën për çlirimin e Kosovës, gjatë vitit 2001, Brigada 113 e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e cila vepronte në zonën e Karadakut në Maqedoni, e mbajti me krenari emrin e Ismet Jasharit-Komandant Kumanovës.

Falë gjakut që derdhën Ismeti dhe mijëra dëshmorë e martirë të tjerë të kombit, sot Kosova gëzon pavarësinë si shteti më i ri në botë. Për kontributin e jashtëzakonshëm që dha në luftën për çlirimin e Kosovës, më 25 gusht të vitit 2009, Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu e dekoroi Ismet Jasharin me Urdhrin “Hero i Kosovës”.
Për ta nderuar dhe përjetësuar veprën heroike të Komandant Kumanovës, bashkëluftëtarët e tij i ngritën shtatoren në Prizren dhe në vendlindjen e tij në fshatin Orizare. Në nderim të emrit e veprës së tij edhe Gjimnazi në Likovëu emërua me emrin e Ismet Jasharit. Ndërsa, shumë shkolla, kazerma, rrugë e sheshe anembanë Kosovës, me krenari e mbajnë emrin e Komandant Kumanovës.
Lavdi jetës dhe veprës së heroit Ismet Jashari-Komandant Kumanova!

Kumanovë, 25.08.2023