May 2, 2024
Maqedoni

Tregu i gjelbër në Kumanovë gjithnjë e më pak blerës: Ikën të gjithë, dolën jashtë shtetit!

Kumanovë, 24 gusht – Ngritja e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve të ndryshme në masë të madhe po ndikon në uljen e vazhdueshme të standardit të qytetarëve. Kjo po vërehet edhe në frekuentimin gjithnjë e më të vogël të qytetarëve në tregun e qytetit. Fuqia blerëse po zbehet gjithnjë e më tepër thonë shitësit në Tregun e Kumanovës.

Ekipi i TVM2 sot qëndroi në Tregun e Gjelbër në Kumanovë, nga tregtarët u njoftuam se blerës në treg ka gjithnjë e më pak për shkak të çmimeve të larta por edhe përshkak se shumë të qytetarë po e braktisin vendin.

“Nuk ka njerëz, ikën, dolën të gjithë jasht shtetit. Çmimet janë të larta edhe ata që kanë mbetur në vendlindje nuk kanë të holla, shifeni sa është zbrazur tregu nuk ka njerëz, por edhe çmimet e larta janë bë”, theksoi një shitës.

“Shitje pothuajse nuk ka, në një anë nuk ka bereqet mjaftueshëm e në tjetrën nuk ka shitje, çmimet janë pak të larta, jo edhe aq, 50 denarë specat por ama shitje nuk ka sepse nuk ka njerëz, si bujk që i kultivoj vet këto prodhime lirisht mund të them se as harxhimet nuk mund ti mbuloj, lavrat harxhimet tjera çka duhet çdo ditë të vijmë në treg, por nga lëkura nuk mundemi të dalim skemi tjetër rrugëdalje sepse nuk bën puna”, theksoi një shitës.

“Varfëri apsolute, asnjëher nuk ka qenë kështu deri më tani u zbraz vendi dhe krejt kjo si pasojë e politikave të këqija në vend”, theksoi një shitës.

Tregtarët, për TVM2, thonë se kriza e thellë ekonomike ka filluar të ndjehet më së shumti këto 5 vitet e fundit, ku si pasojë e migrimit të vazhdueshëm të popullatës së kësaj ane, po vërehet dukshëm mungesa e krahut punues.

“Përpara kemi tregtuar në Kosovë e Serbi, kemi patur punë dhe kemi patur vullnet për punë, por ama tash pasi unë nuk e dua këtë punë duke patur parasysh se sa kam patur vullnet si mundet një i ri ta ushtroj këtë veprimtari”, theksoi një shitës.

“Kemi 25 vjet që punojmë por nuk mbahet mend këso lloj krize kjo më është kapaku, në rast se nuk kemi rini atëher cka? Ata janë katalizator i këtij vendi, po e shohin se nuk ka perspektiv këtu po detyrohen me hik me u largu”, theksoi një shitës.

“Këto vitet e fundit shumë ka ra puna, përpara ka patur fitim, kishin populli të holla sigurisht se edhe shitje ka pas”, theksoi një shitës.

Ndryshe Tregu i Gjelbër në Kumanovë frekuentohet nga banorë edhe të komunave fqinje si Likova e Nagorici i Vjetër, por edhe përkundër kësaj prap se prapë vërehet numër i pakët i blerësve.