May 17, 2024
Maqedoni

Pendarovski: Kuvendi të sjell vendim për vlefshmërinë e patentë shoferit

Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski thotë se është e papranueshme që qytetarët të vendosen në ankth dhe panik në lidhje me atë nëse do të dënohen, në rast se vozisin brenda territorit të shtetit me leje për vozitje me emrin e vjetër të shtetit. Ai u bën apel të gjitha partive politike që të bëjnë ndryshime të Ligjit për Siguri në Trafik por edhe të normave tjera ligjore, me qëllim që qytetarët që kanë patentë shoferi me afat të mund t’i përdorin të njëjtat në gjithë territorin e vendit.

“Kërkoj nga partitë politike parlamentare që të miratojnë menjëherë ndryshimet në Ligjin për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor dhe normat përkatëse në ligjet tjera që rregullojnë këtë fushë, në mënyrë që t’u mundësohet qytetarëve që të vozisin lirshëm në gjithë territorin e shtetit. Siç thashë edhe para disa javësh, nëse ka vullnet politik, zgjidhjet ligjore mund të miratohen për një kohë shumë të shkurtër”, deklaroi Stevo Pendarovski, president.