April 29, 2024
Maqedoni

Mesazhi i Taravari dhe paralajmërimi për qeverinë e re

Shkruan: Arben Taravari

Të dashur bashkëqytetarë, tani shihet se jemi në prag të një shumice të re qeveritare, ku prioritet gati absolut do jenë zhvillimi ekonomik me ndihmën e shumë ekspertëve të brendshëm e të jashtëm dhe me shfytëzimin e fondeve gratis që i jep UE, e që këta s’kanë ditur t’i shfytëzojnë as paratë e falura. Do i liberalizojmë dhe thjeshtëzojmë maksimalisht procedurat për formimin dhe fillimin me punë të kompanime e fermave. Do të thjeshtëzojmë dhënien e tokave shtetërore me koncesion për zona industriale e për ferma.

Do japim ide se si mund të projektohet një jetë e mirë dhe këtu. Do bëjmë çmos që të thërrasim edhe bashkevendasit tanë që punojnë jashtë, e që politikat e mbrapshta i kanë dëbuar nga vatrat e tyre, që të kthehen në vendlindjen e vet dhe të investojnë e punojnë. Pasi për shumë vite gabimisht u besuam atyre që ishin të përqëndruar vetem në pasurimin e vetvetes. Na mbetën të zbrazura shkolla, fshatra e qytete. Kemi nevojë për kthimin e besimit dhe kthimin e më të dashurve tanë që çdo ditë e më shumë na humben nga sytë.

Shkojnë njëkahshëm ku çdokund në botë u duket më mirë se në vendin e vet. Ne me të gjitha forcat do e bëjmë të kundërtën. Do dëshmojmë se edhe këtu do ketë shpresa. Zoti na ndihmoftë në këtë rrugë!