Shkolla fillore “Bajram Shabani” në Kumanovë ka mbetur pa energji elektrike nga dje rreth orës 14:00 deri sot rreth orës 10:00. Për shkak të ndërprerjes, nxënësit për tri orë e kanë ndjekur mësimin pa energji elektrike, ndërsa orët e mbetura nuk janë mbajtur fare.
Për këtë, drejtori i shkollës, Fatmir Ebibi, thotë se janë ndërmarrë masat e nevojshme dhe se defekti është sanuar. Sipas tij, vjetërsia e objektit dhe problemet me instalimet elektrike ngrenë pikëpyetje edhe për sigurinë e tyre.
“Objekti i shkollës e dini se është i vjetër dhe për shkak të ngarkesës së instalimeve elektrike është e nevojshme të shqyrtohet sidomos nga ekspert kompetent. Si drejtor i shkollës, përgjegjësia kryesore është siguria e nxënësve dhe punonjësve, si dhe sigurimi i kushteve më të mira në procesin mësimor në shkollë.”, – deklaroi drejtori i ShF “Bajram Shabani”, Fatmir Ebibi.
Nga Elektrodistribuimi thonë se ekipet e tyre kanë dalë në terren menjëherë pas marrjes së njoftimit.
“Pas kontrolleve të kryera është konstatuar se ndërprerjet ndodhin për shkak të instalimit të brendshëm të vetë objektit, i cili instalim nuk është në pronësi dhe as nën kompetencën e Elektrodistribuimit.”, thanë nga EVN Elektrodistribuimi.
Edhe pse defekti është sanuar dhe procesi mësimor ka rifilluar, mbetet e hapur çështja e sigurisë së instalimeve elektrike në objekt. Sipas udhëzimeve të sigurisë elektrike, instalimet e vjetruara ose me izolim të dëmtuar mund të shkaktojnë mbinxehje të kabllove, shkëndija, goditje elektrike dhe madje zjarre, veçanërisht në mungesë të kontrolleve dhe mirëmbajtjes së rregullt.

