Edi Rama ka dalë hapur dhe e ka shpallur Erion Veliajn puçist, pjesë të komplotit për rrëzimin e tij nga pushteti dhe, pasi e syrgjynosi në burgun e Fierit, ka vendosur t’u mbyllë gojën edhe atyre pak socialistëve që guxuan të kërkonin shpjegime për trajtimin e kryebashkiakut të Tiranës.

Në mbledhjen e zhvilluar me ministrat e kabinetit qeveritar dhe drejtuesit politikë të qarqeve, kryeministri i ka vënë kapak një herë e mirë debatit që sa po çelte brenda Partisë Socialiste pas transferimit të papritur të Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit.

Për Ramën, çështja nuk ka më të bëjë me të drejtat e një të paraburgosuri apo me ligjshmërinë e vendimit për transferimin e tij, por me një komplot kundër pushtetit, në krye të të cilit ai ka vendosur tashmë ish-bashkëpunëtorin e tij të ngushtë.

“Kam marrë informacione të sakta dhe të verifikuara që Erjon Veliaj ka dashur të më rrëzojë nga pushteti dhe se ai ka financuar grupe njerëzish për të dalë në protestat e javëve të fundit” mësohet t’u ketë thënë Rama të pranishmëve në mbledhje.

" "

Në sallë e kanë dëgjuar në heshtje. Disa prej tyre aspak të surprizuar për atë që po dëgjonin. Mësohet se Rama nuk u zgjat në fjalën e tij, se çfarë informacionesh ka marrë, kush ia ka siguruar dhe përse ato nuk janë bërë publike, por atyre që e dëgjonin u kërkoi heshtjen e plotë mbi këtë çështje.

“Nuk dua të dëgjoj më se ka të drejta apo se nuk ka të drejta Veliaj për trajtimin e tij në burgje” ka thënë Rama. “Kush merret me atë, është me atë” u ka vënë ai kapak diskutimeve, me një kërcënim që nuk linte shumë vend për interpretime.

Mesazhi ka qenë i shkurtër, por i qartë. Kush guxon të kërkojë shpjegime për Veliajn më tej, kush ngre dyshime për mënyrën se si po trajtohet, rrezikon të përfundojë në të njëjtën listë armiqsh.

Pas fjalëve të Ramës nuk pati asnjë diskutim të mëtejshëm. Edhe miqtë e dikurshëm të Veliajt preferuan të heshtnin në vend se të flisnin për puçistin e saposhpallur, Erjon Veliaj.

Paranoja e armiqve të brendshëm

Image

Që Rama po po udhëheq përmes paranojave politike që karakterizojnë autokratët që ndiejnë se pushteti po u rrëshqet nga duart, kjo u duk nga mënyra se si ai i përshkruante pjesëmarrësit e protestatve javëve të fundit. Kryeministri gjeti armiq në të katër anët e botës, por edhe brenda vendit.

Në komplot ai përfshiu rusët e nxitur nga Putini, iranianët e republikës khomeiniste, Antifa që ka vënë të gjithë Europën në vështirësi, krimin e organizuar që sulmoi policinë, por edhe analistët e darkë, mediat, partitë e opozitës etj.

Erion Veliaj është thjesht personazhi i fundit i kësaj historie, në një listë që zgjatet sa herë që protestat marrin përmasa më të mëdha.

Sjellja e Ramës është tipike ajo e autokratëve paranojakë që nisin ta shohin çdo pakënaqësi si komplot, ndërsa njerëzit i ndajnë veçse në dy kategori; besnikë dhe armiq.

Zërat që pëshpërisin në veshin e Ramës

Image

Por si të gjithë paranojakët e pushtetit, Rama ka edhe një veçori tjetër. Në jermin e tyre politik, ata kanë nevojë për dikë që u pëshpërit në vesh, që ua ushqen dyshimet, u tregon intrigën dhe u shërben si busull në betejat kundër komplotistëve. Këtë rol, në rrethin e ngushtë të Ramës, duket se e ka konsoliduar tashmë Belinda Balluku.

Më parë, Rama kaloi disa ditë rresht në shoqërinë e Belinda Ballukut, në takime kokë më kokë te Vila 31 në Tiranë. Këto takime që u zhvilluan në ditët e fundit të protestave, morën një domethënie të veçantë pas qëndrimit publik të Erion Veliajt në mbështetje të revoltës studentore, duke marrë shkas nga zhvillimet politike në Serbi dhe rënia e Aleksandër Vuçiçit.

“Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë “fundi i botës”, por fundi i “një bote”. Sa më shpejt ta kuptojmë këtë si qytetarë e politikëbërës, aq më mirë do të dimë t’u përgjigjemi nevojave dhe pritshmërive të kësaj gjenerate”, shkruajti Veliaj në Facebook.

Këto fjalë mjaftuan për ta rreshtuar Veliajn në radhët e tradhtarëve që po përpiqeshin ta rrëzonin nga pushteti. Teksti i shkurtër i shërbeu Ramës si një konfirmim për të gjitha thashethemet mbi lojën pas shpine të lali Erit që refuzonte ta lëshonte Bashkinë e Tiranës.

Jo më kot, Erjon Veliaj u zhvesh nga të gjitha privilegjet dhe u transferua me urgjencë, pa asnjë arsye zyrtare në një qeli në Fier, aty ku i qëndruan pranë disa të dënuar me burgim të përjeshtëm.

Dikur një prej njerëzve më të rëndësishëm të pushtetit socialist, një prej njerëzve më të përkëdhelur nga Edi Rama, ai nuk meritonte asnjë trajtim tjetër veçse atë që u përket grupeve puçiste. Dhe socialistët, admiruesit e zellshëm të partisë që deri dje i duartrokisnin të dy udhëheqësit në tribuna, sot duhet të bëjnë kujdes kur i përmendin emrin./ Lapsi.al/

sqShqip