Skandali i radhës me keqpërdorimin e mjeteve shtetërore ka përfshirë kabinetin e Zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Marrëdhënie Ndëretnike, Ivan Stoilkoviq.

Makina zyrtare e sekretarit shtetëror të kësaj ministrie, Vlladimir Stojanoviq është parë duke qarkulluar sot në ditë fundjave jopune nëpër Kumanovë, përcjell INA.

Dëshmitë e siguruara duke na dërguar foto nga terreni tregojnë se ai përdor makinën zyrtare për qëllime private në qytetin e Kumanovës.

Ky veprim përbën shkelje sepse sipas rregulloreve qeveritare, të gjitha automjetet zyrtare duhet të qëndrojnë të parkuara në vendet e dedikuara, përveç rasteve kur ekziston një urdhëresë specifike dhe e dokumentuar për vizitë pune. Ky veprim bie ndesh me Dekretin për mënyrën e përdorimit të automjeteve zyrtare, i cili specifikon se mjetet e transportit shtetëror mund të përdoren ekskluzivisht për nevoja të institucionit dhe asnjëherë për lëvizje jashtë orarit pa një autorizim paraprak.
Përveç shkeljes së protokolleve të transportit, ky rast prek edhe Kodin e Etikës për Zyrtarët e Emëruar, i cili kërkon nga funksionaret mbrojtjen e pronës publike dhe amvisërimin me paratë e taksapaguesve. Sipas Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, përdorimi i resurseve shtetërore për përfitime personale klasifikohet si keqpërdorim i detyrës, për çka Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit mund të iniciojë procedura disiplinore ose kërkesa për rimbursim të dëmit të shkaktuar ndaj buxhetit, përcjell INA.
Nga Ministria për Marrëdhënie Ndëretnike pritet të japin sqarim zyrtar se pse sekretari Stojanoviq po përdor këtë makinë zyrtare në ditë jopune. (INA)

sqShqip