(Me rastin e pensioninit të mësuesit të edukatës muzikore, Florim Zulfiu)

Duartrokitjet thyejnë heshtjen, deri sa mësuesi Florim Zulfiu paraqitet para të pranishmëve të grumbulluar në oborrin e shkollës fillore “Dituria” në fshatin Likovë.

Pasi përshëndet të pranishmit, merr pozicion pranë sintit për të performuar, në pritje të fillimit gë programit solemn. Paraqitet me elan dhe elegancë, thua se po paraqitet në ditën e parë të karrierës arsimore.

Por të premten, ai i vendosi pikë karrierës katërdekadëshe, duke u radhitur në mesin e shumë veteranëve të arsimit, që lanë gjurmë të pashlyeshme.

Kurse solemniteti i lartpërmendur, u organizua pikërisht për nder të tij. Kurse 64 vitet e mbushura nuk kanë lënë fare gjurmë në aftësitë e tij performuese, që vërehet deri sa interpretom pikat muzikore, në paraqitjen me të cilën falënderon të pranishmit që kanë ardhur ta respektojnë punën e tij.

E nuk është aspak i vogël numri i atyre që kanë ardhur ta nderojnë në ditën e pensionimit. Kolegë të tanishëm e të mëhershëm, familjarë, zyrtarë, por në numër më të madh janë nxënësit që i edukoi dhe shkolloi gjatë këtyre katër dekadave, e që me shumë emocione marin pjesë aty. Dyzet vite me radhë, mësuesi Florim u shqua për punën e palodhshme dhe të pandalshme, sa gjatë orarit të punës, aq edhe jashtë orarit. Punë që dha rezultate të pamohueshme, në ngritjen e nxënësve dhr gjeneratave që arritën suksese në sfera të ndryshme, e shumë prej tyre u bënë edhe kolegë të tij, në misionin aq të shenjtë të mësimdhënies.

Dyzet vite me eadhë të gjithë e njohën si arsimtar shembullor, i cili pa përtesë ishte në shërbim të përgatitjes sa më të mirë të nxënësve, por edhe në shërbim të afirmimit të emrit të shkollës “Dituria”.

Me duartrokitjen e fundit në mbyllje të solemnitetit, u shënua vetëm fundi i karrierës zyrtare të mësusesit Florim, të cilin me të drejtë e quajnë një Mësues Rilindas nga Likova.
Por ai me siguri do të vazhdon edhe gjatë kohë të jetë pranë nxënësve të tij, si dhe pranë gjeneratave të reja që do të vijnë. E nga ana tjetër, nxënësit dhe gjeneratat do të vazhdojnë edhe më afër mësuesit Florim.

Shumë prej nxënësve të dikurshëm, kanë bë dedikime emocionale me këtë rast. Në vazhdim u sjellim vetëm dy prej tyre:

Eroll Ganiu

Shumë i respektuar mësuesi im Florim Zulfiu.

Ju ishit ai që ma dhatë hapin e parë drejt botës së muzikës. Me përkushtimin, durimin dhe dashurinë tuaj për artin, arritët të zgjoni tek unë dëshirën për këtë profesion fisnik, të cilin sot e ushtroj me krenari. Çdo notë, çdo këshillë dhe çdo fjalë inkurajuese nga ju kanë mbetur pjesë e rrugëtimit tim jetësor dhe profesional.
Është privilegj për mua që sot punoj në të njëjtin profesion që dikur ma prezantuat ju me aq pasion. Kjo është dëshmia më e bukur se puna dhe përkushtimi i një mësuesi lënë gjurmë të përjetshme.
Urime pensionimin. Ju uroj shëndet, qetësi dhe lumturi në këtë etapë të re të jetës.

Me respekt dhe mirënjohje të pafundme nxënësi dhe kolegu yt Eroll Ganiu.

Fatlum Aliu

Sot, me rastin e pensionimit të tij, me respekt dhe mirënjohje kujtoj mësuesin tim të parë të muzikës, mësuesin Florim Zulfiu, njëherit edhe kushëririn tim, i cili para 25 viteve më mundësoi për herë të parë të ngjitem në skenën e shkollës fillore “Dituria” në Likovë. Pikërisht aty nisën hapat e mi të parë në artin muzikor, rrugëtim të cilin më pas e vazhdova me studime profesionale që nga shkolla e mesme e muzikës, paralelja e parë në gjuhën shqipe “Ilija Nikollovski-Luj” në Shkup.

Ai ishte një mësues shembullor, me përkushtim, disiplinë dhe vullnet të jashtëzakonshëm në rritjen e vetëdijes artistike dhe zhvillimin e kulturës muzikore në vendin tonë. Në një kohë kur kushtet nuk ishin të lehta, ai dëshmoi se me dashuri për artin dhe punë të sinqertë mund të jetësohen orkestri dhe kori edhe tek gjenerata e re.
Falë punës dhe përkushtimit të tij, Likova arriti shumë vende të para dhe rezultate të shkëlqyera në aktivitete e gara të ndryshme të artit muzikor, duke e bërë krenar gjithë vendin tonë.

Emri dhe vepra e tij do të mbeten gjithmonë pjesë e kujtimeve dhe respektit tonë. Vendi i tij padyshim se nuk do të mund të zëvendësohet, sepse njerëz me aq zell, dashuri të pastër për artin dhe përkushtim të sinqertë ndaj gjeneratave të reja lindin rrallë. /Lideri.mk

sqShqip