Urime fillimin e vitit akademik 2026/2027, Fakultetit “AB” në Kumanovë!
Më 22 nëntor 2008, nga gjiri i popullit dhe i komunitetit, falë një përkushtimi të jashtëzakonshëm qytetar, arsimor dhe intelektual, mori jetë një nga institucionet e rëndësishme të arsimit të lartë në rajon. Fakulteti “AB” në Kumanovë.
Lindja e këtij institucioni nuk ishte një ngjarje e zakonshme. Ishte më shumë se kaq, ishte një ëndërr që u shndërrua në realitet, një vizion që mori formë dhe një besim i palëkundur se dija është themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e një shoqërie. Fakulteti i “AB” u ngrit mbi një ideal të madh, t’u hapte dyert e dijes brezave të rinj të Kumanovës, Likovës dhe trevave shqiptare, duke krijuar mundësi për arsimim, zhvillim profesional, kërkim shkencor dhe formim të kuadrove të reja. Sot, pas gjithë këtyre viteve, ndërsa hapen dyert e vitit të ri akademik 2026/2027, emocionet janë të veçanta.
Urimet tona më të përzemërta u drejtohen të gjithë studentëve, veçanërisht atyre që për herë të parë ulen në bankat universitare, studentëve të viteve të tjera që vazhdojnë me përkushtim rrugëtimin e tyre akademik, si dhe të gjithë stafit akademik, administrativ dhe drejtues, të cilët me punën, dijen dhe përkushtimin e tyre e mbajnë gjallë misionin e këtij institucioni.
Sepse “AB” nuk është vetëm një fakultet, është kujtesë e një përpjekjeje të përbashkët. Është dëshmi e fuqisë së vizionit qytetar, është vatër e dijes dhe e formimit profesional, është urë që lidh ëndrrat e të rinjve me të ardhmen e tyre. Dhe mbi të gjitha, është një histori që vazhdon të shkruhet çdo ditë. Çdo student që kalon nëpër dyert e “AB”-së është një kapitull i ri në historinë e këtij institucioni.
Çdo provim i kaluar është një hap drejt së ardhmes, çdo diplomë është dëshmi e punës, sakrificës dhe këmbënguljes. Çdo profesor që përcjell dije është një hallkë e rëndësishme në formimin e brezave.
Dhe çdo brez i ri që del nga këto auditorë është një shpresë e re për familjen, popullin, komunitetin dhe shoqërinë. Prandaj, në këtë fillim të ri akademik, le të jehojë edhe një herë mesazhi ynë: DIJA NUK KA KUFIJ, ARSIMI NUK KA ALTERNATIVË, E ARDHMJA NDËRTOHET SOT!
Të dashur studentë, mos kini frikë nga rruga e gjatë, mos u trembni nga sfidat. Besoni në veten tuaj, punoni me përkushtim dhe mos reshtni së kërkuari dijen. Sepse diploma është vetëm një dëshmi e përfundimit të një etape; dija, karakteri dhe aftësia për ta shndërruar dijen në vlerë për shoqërinë janë trashëgimia më e madhe që mund të merrni me vete.
Studentëve u urojmë sukses, këmbëngulje, dije dhe guxim për t’i ndjekur ëndrrat e tyre.
Stafit akademik dhe drejtuesve u urojmë punë të mbarë, energji, përkushtim dhe suksese në misionin e tyre fisnik arsimor.
Urime viti akademik 2026/2027, Fakulteti “AB”. Kumanovë!
Jemi krenarë për rrugëtimin tuaj, jemi mirënjohës për atë që është ndërtuar, jemi të bindur se rrugëtimi do të vazhdojë edhe më tej, dhe do të jemi gjithmonë me ju!
Me respekt,
Nga Etem Xheladini:
Ish-kryetar i Këshillit Inicues dhe koordinator për hapjen e Fakultetit “AB” në Kumanove, ish-kryetar i SHASH-it “Naim Frashëri”, Kumanove-Likove, per dy mandate

