Në Stuttgart u mbajt Akademi Përkujtimore me rastin e 11-vjetorit të ndarjes nga jeta të patriotit dhe veprimtarit të shquar shqiptar, Emin Fazlija.

Të pranishmit i përshëndetën kryetari i shoqatës, Taxhedin Bakija, dhe kryetari i nderit, Xhafer Leci, bashkëveprimtar i afërt i të ndjerit, të cilët vlerësuan lart kontributin e Emin Fazlisë në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare.

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Stuttgart, Arbërije Shabani dhe Gramoz Berisha, si dhe shumë bashkëveprimtarë e veprimtarë të diasporës shqiptare.

Në kumtesën time, theksova se kam pasur nderin ta njoh dhe të bashkëveproj me Emin Fazlinë, të njohur edhe me emrin Emil Kastrioti. Ai ishte një patriot i palodhur, i cili veproi për bashkimin kombëtar, për ruajtjen e identitetit shqiptar dhe për forcimin e veprimtarisë atdhetare në diasporë.

Kujtova gjithashtu mbështetjen e tij të fuqishme për hapjen dhe zhvillimin e Universitetit të Tetovës, si dhe angazhimin e tij të pandërprerë për bashkimin e shqiptarëve kudo që jetojnë.

Në fund të Akademisë, pata nderin t’i ndaj Mirënjohjen Post Mortem patriotit Emin Fazlija për veprimtarinë e tij të lavdishme kombëtare. Mirënjohjen e pranoi vëllai i tij, Selman Fazlija, i cili në emër të familjes falënderoi organizatorët dhe të gjithë pjesëmarrësit për respektin dhe nderimin e treguar.

Lavdi jetës dhe veprës së patriotit Emin Fazlija!

Idriz Sinani
Stuttgart, 20 Qershor 2026

sqShqip