May 15, 2024
Kolumna

Mustafa: Digjitalizimi do të ndikojë mbi integritetin e gjyqësorit

Milazim Mustafa

(Fjalim i mbajtur në
DEBATIN E HAPUR REGJIONAL me temë
“GJYQËSORI DIGJITAL – ERA E RE E REFORMAVE NË SISTEMIN E JURIPSRUDENCËS TË MAQEDONISË SË VERIUT” i organizuar nga European Policy Institute (EPI)

Fillimisht ju faleminderit për mundësinë që sot të paraqes qasjet e mia në lidhje me rëndësinë e procesit të digjitalizimit të gjyqësorit.
Duke e shfrytëzuar Ditën e sotme botërore të luftës kundër korrupcionit, me duhet të theksoj se njëra nga dobitë e digjitalizimit është edhe ulja e korrupcionit në gjyqësor. Nëse digjitalizimi dhe interoperabiliteti janë procese për lehtësimin e komunikimit në mes të institucioneve dhe qytetarëve atëherë, me hapjen e gjyqësorit ndaj publikut ne pa dyshim se do të ndikojmë mbi transparencën dhe llogaridhënien e gjykatave, parakushte kryesore këto për rritjen e besimit në gjyqësorin dhe zvogëlimin e korrupcionit.
Nga ana tjetër, digjitalizimi do të ndikojë mbi integritetin e gjyqësorit, respektivisht do ta rris përgjegjësinë dhe objektivitetin e gjykatësve për shkak se puna e tyre më lehtë do të ndiqet, si nga ana e Këshillit gjyqësor, ashtu edhe nga ana e qytetarëve. Llogaridhënia e tillë publike, që e mundëson digjitalizimi, do të krijojë gjykatës më efikas të cilët do të duhet të gjykojnë në procedura më të shkurta dhe më efikase. Në një situatë të tillë është e pritshme që t’i zvogëlojmë edhe harxhimet procedurale, por edhe të ndikojmë që proceset të jenë objektive që përsëri do ta pengojmë korrupcionin.
Qëllimi kryesor i procesit të interoperabilitetit dhe digjitalizimit do të jetë që gjyqësori të jetë më azhur dhe më efikas, por edhe të sigurojë qasje të lirë deri te drejtësia. Kjo do të jetë e mundshme vetëm nëse kemi gjykime fer dhe objektive të kryera në kohë të arsyeshme. Me vet faktin se do të kemi gjykata që do të mundësojnë drejtësi më të shpejt, do të thotë se gjykatësit do të punojnë më ndershëm dhe do të jenë më efikas, kurse puna e tyre përmes digjitalizimit do të jetë më transparente ndaj publikit, që është e pritshme se do ta zvogëlojë korrupcionin te gjykatësit.
Të gjithë elementet që i potencova më lartë, e që janë mes vete të lidhura, janë në drejtim të çrrënjosjes së korrupcionit, e me këtë edhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Nëse ne i mbrojmë qytetarët nga korrupcioni, nëse iu mundësojmë procedura fer dhe të drejta, nëse iu ofrojmë drejtësi të bazuar në prova atëherë tërësisht do ta kemi mbështetjen e tyre. Ky besim është i mundshëm vetëm nëse ofrojmë reforma të cilat qytetarëve do t’ua lehtësojnë rrugën deri te drejtësia. Për atë, kur do ta zbatojmë digjitalizimin në tërësi do ta lehtësojmë komunikimin me qytetarët, e me këtë edhe do t’u mundësojmë të kenë qasje më të lehtë në punën e gjyqësorit.
Neve në Këshillin gjyqësor digjitalizimi do të na mundësojë që në mënyrë më thelbësore ta ndjekim punën e gjykatësve, e kjo do të mundësojë vlerësimin real të tyre që është e rëndësishme për avansimin e tyre në të ardhmen. Të ballafaquar me faktin se puna e tyre vazhdimisht është nën mbykqyrje, ata do të duhet të jenë më azhur ndaj procedurave që t’i mbarojnë më shpejt, por edhe të sjellin aktgjykime të drejta. Kështu që edhe vet gjykatësit do të ndihmojnë në krijimin e një gjyqësori transparent dhe llogaridhënës, por edhe imun ndaj korrupcionit.
Për atë na duhet digjitalizim sa më i shpejtë dhe më gjithpërfshirës më qëllim që të jemi sa më afër asaj që e synojmë – gjyqësor të pavarur, të hapur dhe profesional, gjyqësor të cilit i besohet. Veç më jemi të vetëdijshëm se nuk ka reformë të tërësishme e as sistem gjyqësor evropian nëse nuk e digjitalizojmë gjyqësorin.
Përkushtimi i partnerëve tanë të bashkësisë ndërkombëtare në këtë proces flet për seriozitetin e kësaj çështje dhe për atë ne duhet ta shpejtojmë këtë proces. Si pjesë e ekipit që punon në këtë proces besoj në potencialin tonë dhe pres që digjitalizimi së shpejti të jetë realitet që tërësisht do ta ndryshojë pamjen e gjyqësorit.