Shkruan: Linda Mhillaj Fazliu, psikologe

Ndonjëherë, ne i fajësojmë prindërit për fëmijërinë që kemi pasur, për mundësitë që na kanë munguar, për gjërat që nuk na i kanë siguruar dhe për jetën që do të dëshironim ta kishim pasur.

Por ndalu një moment dhe reflekto…

A e ke menduar ndonjëherë se ndoshta ata të dhanë aq sa mundën, me aq sa dinin dhe me aq mundësi sa ua lejonte koha?

" "

Prindërit tanë janë rritur në rrethana të tjera. Shumë prej tyre kanë luftuar për mbijetesë, kanë sakrifikuar ëndrrat e tyre dhe kanë bërë çfarë kanë mundur, sepse ashtu ishte jeta e asaj kohe.

Jo çdo prind ka ditur t’i japë dashuri fëmijës.
Jo çdo prind ka qenë i përsosur.
Jo çdo prind i ka pasur aftësitë të të kuptojë apo të të qëndrojë afër në momentet e duhura.

Por duhet të pajtohesh me të kaluarën që të bësh paqe për të ardhmen.

Pyetja është: Çfarë po bën ti sot me jetën tënde?

Sot mund të kesh mundësi që prindërit e tu nuk i kanë pasur. Mund të shkollosh veten, të punosh, të mësosh, të zhvillohesh dhe të ndërtosh një të ardhme më të mirë.

Pse të mbetesh peng i asaj që nuk more, kur mund të fillosh të ndërtosh atë që të mungoi?

Nëse prindërit të kanë lënduar, jepi vetes kohë të shërohesh. Vendos kufij kur është e nevojshme dhe, nëse një ditë arrin t’i falësh, bëje për veten tënde, për paqen tënde dhe për vetë ata, sepse prindërit i kemi amanet derisa të kemi jetë.

Nuk mund ta ndryshosh fëmijërinë që ke pasur, por mund ta planifikosh të ardhmen me qëllime, ta ndërtosh me punë dhe ta ndryshosh me vendimet që merr sot.

Mos prit, çdo moment është një mundësi.

sqShqip