Arkin Jahiji u rikthye në garën për Komunën e Bërvenicës, por emri i tij rikthen edhe një histori politike nga zgjedhjet lokale të vitit 2021, kur ai ishte kandidat i BDI-së për kryetar komune dhe nuk arriti të kalojë në raundin e dytë.
Në atë kohë, gara shqiptare në Bërvenicë ishte e ndarë, ndërsa Enver Pajaziti ishte kandidati shqiptar që arriti të shkonte në balotazh kundër kandidatit të VMRO-së. Gjatë fushatës së vitit 2021, Jahiji u kritikua për qëndrimin dhe angazhimin e tij politik, ndërsa u ngritën edhe pretendime për largimin e tij nga vendi në një periudhë vendimtare të fushatës.
Kjo histori rikthehet sot në vëmendje, pesë vite më vonë, kur Jahiji është sërish kandidat për kryetar të Bërvenicës dhe në raundin e dytë përballet me kandidatin e VMRO-DPMNE-së.
Por ajo që bie në sy në këtë fushatë është mungesa e aktiviteteve të dukshme, mungesa e mobilizimit që zakonisht shoqëron një garë të tillë dhe një atmosferë larg euforisë që u paralajmërua pas raundit të parë.
A është kjo thjesht një strategji e fushatës apo ka diçka tjetër prapa saj?
Në një komunë ku vota shqiptare mund të ketë peshë vendimtare, heshtja politike dhe mungesa e një angazhimi të dukshëm ngrenë pikëpyetje për seriozitetin e garës dhe qëndrimin e Jahijit ndaj kësaj përballjeje.
Në vitin 2021 Bërvenica mbeti me shumë pikëpyetje politike. Sot, kur Jahiji është sërish në garë kundër kandidatit të VMRO-së, pyetja rikthehet: a po përsëritet historia dhe a po rrezikon Bërvenica të përjetojë të njëjtin skenar?/E. Berisha

