Etem Xheladini
Historikisht, popujt dhe shtetet që kishin ambicie për të përvetësuar tokat shqiptare, për të cenuar të drejtat tona dhe për të kufizuar zhvillimin tonë kombëtar, nuk vepruan mbi bazën e dëshirave të rastësishme të individëve. Ata hartuan programe, projekte dhe strategji politike, të cilat i kthyen në politika shtetërore dhe i trashëguan nga një gjeneratë në tjetrën.
Po ne shqiptarët, çfarë bëmë, fatkeqësisht vazhdojmë të sillemi sikur historia fillon dhe mbaron me një individ politik. Përqendrohemi te emrat, te largimet dhe te ardhjet në pushtet, ndërsa harrojmë të analizojmë programet, platformat dhe objektivat politike që mund të mbeten të pandryshuara.
Rasti i Vuçiqit në Serbi, duhet të na shërbejë si mësim, largimi i një individi nuk garanton ndryshimin e politikës që ai përfaqëson. Nëse programi, qëndrimet dhe synimet mbeten të njëjta, ndryshimi i emrit nuk përbën domosdoshmërisht ndryshim të politikës, lëvizja studentore atje vazhdoi me të njejtin avaz, kundrejt shqiptarëve e R.Kosovës.
Por përgjegjësia më e madhe bie mbi politikëbërësit shqiptarë. Ku janë strategjitë afatgjata, ku janë programet kombëtare, ku është vizioni për të ardhmen. A mendoni se politika shqiptare mund të ndërtohet vetëm me fushata zgjedhore, premtime boshe, konferenca shtypi dhe beteja për karrige pushteti. Deri kur do ta trajtoni politikën si pronë partiake dhe pushtetin si privilegj personal.
Është e pafalshme që në një kohë kur të tjerët ndërtojnë strategji shumëvjeçare, një pjesë e politikëbërësve shqiptarë mbeten të robëruar nga interesat e ditës, rivalitetet partiake dhe ambiciet personale. Mungesa e një vizioni të përbashkët strategjik nuk është thjesht dobësi politike; ajo është një pengesë serioze për përfaqësimin dhe zhvillimin afatgjatë të shqiptarëve. Politikëbërësit shqiptarë duhet ta kuptojnë se historia nuk i gjykon vetëm për atë që kanë thënë, por edhe për atë që nuk kanë ndërtuar, për mundësitë që kanë humbur dhe për përgjegjësitë që nuk i kanë përmbushur. Mjaft me politikën e individëve, me ambiciet për pushtet pa vizion, me patriotizmin e deklaratave, kur mungojnë programet dhe veprat. Shqiptarët nuk kanë nevojë për politikanë që vetëm kërkojnë mandate, por për politikëbërës që mendojnë përtej mandatit të tyre. Nuk kanë nevojë për liderë që matin suksesin me numrin e posteve, por për institucione, strategji dhe programe që u shërbejnë brezave.
Duhet të keni parasysh individët largohen, partitë ndryshojnë, qeveritë bien, por pasojat e politikave të gabuara mund t’i paguajnë breza të tërë. Prandaj, politika shqiptare në dy shtetet shqiptare, R. Shqipëris, R.Kosovës e ku do në trojet e saj ku jetojnë e veprojnë duhet të zgjohet nga rehatia e interesave të ngushta partiake dhe të fillojë të mendojë në dimensionin strategjik të interesit kombëtar dhe qytetare.

