Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka bërë të ditur se punimet për ndërtimin e lidhjes autostradale nga Tetova deri në Ohër po zhvillohen sipas dinamikës së paraparë, ndërsa përfundimi i të gjithë projektit pritet deri në vitin 2029, përcjell tetova1

Mickoski njoftoi se, përveç segmenteve Tetovë–Gostivar dhe Gostivar–Bukojçan, ka nisur edhe ndërtimi i segmentit Bukojçan–Kërçovë, i cili do të mundësojë lidhjen e këtyre akseve me autostradën Kërçovë–Ohër.

Reklamë

Me realizimin e këtij projekti, sipas kryeministrit, do të kompletohet lidhja autostradale nga Shkupi, përmes Tetovës, Gostivarit dhe Kërçovës, deri në Ohër.

" "

Mickoski foli edhe për vazhdimin e trasesë në afërsi të Trebenishtës, ku është paraparë ndërtimi i një nyjeje rrugore, prej nga autostrada duhet të vazhdojë drejt pikës kufitare Qafë Thanë. Megjithatë, për shkak se kjo zonë përfshihet në hapësirën e mbrojtur nga UNESCO, do të duhet të shqyrtohet një zgjidhje alternative teknike.

„Në lokacionin e Trebenishtës kemi paraparë një nyje rrugore, nga ku autostrada duhet të vazhdojë drejt pikës kufitare Qafë Thanë. Siç e dini, kjo zonë aktualisht është nën mbrojtjen e UNESCO-s dhe, në përputhje me raportin e fundit të kësaj organizate, duhet të kërkojmë një zgjidhje tjetër teknike“, deklaroi Mickoski.

Kryeministri shprehu optimizëm se autostrada Kërçovë–Ohër do të hapet për qarkullim deri në fund të tremujorit të dytë të vitit të ardhshëm, ndërsa lidhja e plotë autostradale nga Tetova deri në Ohër pritet të përfundojë deri në vitin 2029./tetova1.mk

sqShqip