ATA QË HEDHIN THEMELET E SË ARDHMES JANË MËSUESIT, NJË MIRËNJOHJE PËR NJERËZIT QË NISIN RRUGËTIMIN E DIJES

Etem Xheladini

Një shoqëri nuk ndërtohet vetëm me ndërtesa, rrugë, teknologji apo ekonomi. Një shoqëri ndërtohet mbi dijen, mbi edukimin dhe mbi njerëzit që kanë guximin e madh të formojnë brezat, dhe në themel të këtij misioni qëndron mësuesi.
Nëse dëshirojmë një shoqëri të shëndoshë, të arsimuar, të emancipuar dhe me perspektivë, atëherë investimi në arsim nuk është thjesht një zgjedhje politike, institucionale apo shoqërore, është një domosdoshmëri e kohës, historike. Por çdo investim të vërtetë në arsim duhet të fillojë aty ku hidhen themelet e para, në arsimin fillor. Pikërisht aty, në bankat e para të shkollës, nis një nga udhëtimet më të rëndësishme të jetës së njeriut. Dhe pranë fëmijës, përtej familjes, qëndron mësuesi, arsimtari njeriu që merr përsipër një nga përgjegjësitë më të mëdha njerëzore, të udhëheqë hapat e parë të një fëmije drejt dijes, kulturës dhe jetës shoqërore. Në ditët e para mësuesit fillojnë tu mësojnë shkronjat e para, aty shqiptohen fjalët e para, aty shkruhen fjalitë e para, aty lind kureshtja për të mësuar dhe dëshira për të zbuluar botën.
Por mësuesi nuk mëson vetëm shkronja, numra dhe njohuri, ai formëson mënyrën se si një fëmijë e sheh veten dhe botën përreth tij. I mëson të besojë në veten e vet, të respektojë tjetrin, të dëgjojë, të bashkëpunojë, të mendojë në mënyrë të pavarur, të bëjë pyetje, të pranojë gabimin si pjesë të të mësuarit, të ngrihet përsëri kur rrëzohet, e mbi të gjitha, të mos dorëzohet. Kjo është arsyeja pse puna e mësuesit arsimtarit nuk mund të matet vetëm me nota, dëftesa apo statistika. Puna e tij matet me fëmijët, nxënësit e tij. Çdo ditë, brenda një klase, mësuesi arsimtari nuk përcjell vetëm njohuri, ai ndikon në formimin e karakterit. Një fjalë e mirë mund t’i japë një fëmije kurajë, një këshillë e thënë në momentin e duhur mund t’i ndryshojë mënyrën e të menduarit, një inkurajim mund ta bëjë një fëmijë të besojë se edhe ai mund t’ia dalë. Ndonjëherë, një fjali e vetme e thënë nga mësuesi mund të harrohet si formulim, por kurrë të mos harrohet si ndjenjë.
Sepse fëmijët nuk mbajnë mend vetëm atë që u kemi mësuar, shpesh ata mbajnë mend më gjatë se si i kemi bërë të ndihen. Dhe këtu qëndron madhështia e profesionit të mësuesit. Mësuesit dhe punonjësit e arsimit fillor janë mbjellësit e parë të dijes, kulturës, qytetarisë dhe humanizmit. Ata mbjellin sot fara, frytet e të cilave shpesh do të shihen shumë vite më vonë. Kur ai fëmijë të bëhet mjek, bëhet inxhinier, bëhet jurist, profesor, artist, ekonomist, sipërmarrës, sportist apo profesionist në cilëndo fushë.
Kur të bëhet prind, kur të marrë përgjegjësi në shoqëri, kur të kontribuojë për popullin, komunitetin dhe vendin e tij. Atëherë, në një pjesë të asaj rruge, do të gjendet edhe një mësues, arsimtar, profesor i arsimit fillor. Një emër që ndoshta nuk figuron në titujt e gazetave, një njeri që ndoshta nuk kërkoi kurrë duartrokitje, por një njeri që la gjurmë. Sepse pas çdo profesionisti qëndron një histori formimi, e shumë shpesh, në faqet e para të asaj historie gjendet një mësues që i ka mësuar fëmijës të mbajë lapsin, të shkruajë emrin e vet, të lexojë fjalën e parë dhe të besojë se mund të mësojë. Një dorë që udhëhoqi dorën e vogël mbi fletë, një zë që lexoi fjalët e para, një zemër që pati durim, një njeri që besoi te një fëmijë edhe atëherë kur ai fëmijë ende nuk kishte mësuar të besonte te vetja.
Prandaj, mirënjohja për mësuesin, arsimtarin, profedorin e arsimit fillor nuk është thjesht mirënjohje për një profesion. Është mirënjohje për një mision, mirënjohje për një përgjegjësi, mirënjohje për një kontribut që shpesh nuk duket menjëherë, por që mund të zgjasë gjatë gjithë jetës.
Të nderojmë mësuesit, të vlerësojmë punonjësit e arsimit fillor, të respektojmë punën e tyre. Të mos harrojmë se çdo brez i ri ka nevojë për njerëz që jo vetëm t’i mësojnë, por edhe t’i udhëheqin, t’i frymëzojnë dhe t’u japin besim.
Sepse arsimimi i një fëmije nuk është thjesht përgatitje për një provim, është përgatitje për jetën. Dhe në fillim të këtij rrugëtimi qëndron mësuesi.ATA QË HEDHIN THEMELET E SË ARDHMES JANË MËSUESIT. Për çdo laps të parë, për çdo shkronjë të parë, për çdo libër të hapur, për çdo fëmijë të inkurajuar, për çdo ëndërr të mbështetur, për çdo brez të formuar, FALEMINDERIT, MËSUES. Mirënjohje dhe respekt për të gjithë punonjësit e arsimit fillor, për punën e tyre të përditshme, për durimin, përkushtimin dhe dashurinë me të cilën ndërtojnë, çdo ditë, themelet e së ardhmes. Sepse një ditë, kur nxënësit e tyre të jenë bërë njerëz të mëdhenj, të suksesshëm dhe të dobishëm për shoqërinë, ndoshta jo të gjithë do ta kujtojnë çdo mësim. Por shumë prej tyre do të kujtojnë mësuesin që besoi tek ata. Dhe kjo është një nga trashëgimitë më të bukura që mund të lërë një njeri.

sqShqip