LSDM-ja ka vazhduar me akuzat e ashpra ndaj ZNAM-it pas raportit të kësaj partie për dyvjetorin e themelimit të saj, duke vlerësuar se pas mesazheve për rezultate dhe dashuri ndaj Maqedonisë fshihen, sipas tyre, interesa politike dhe ndarje të funksioneve.

Nga LSDM-ja reagojnë edhe ndaj deklaratave të ministrit Goran Minçev për reformat, pagat, infrastrukturën dhe rritjen e pensioneve. Sipas opozitës, politikat që ZNAM-i i paraqet si rezultate të punës së tij janë, në fakt, në dëm të qytetarëve dhe pensionistëve. “Ky nuk është një ngjarje për dashurinë ndaj atdheut, por raportim për shefin Mickoski“, deklarojnë nga LSDM-ja, duke përsëritur pretendimin e tyre se ZNAM-i është krijuar si projekt për dobësimin e LSDM-së dhe se më pas është bërë pjesë e koalicionit qeverisës.

LSDM-ja ka paraqitur edhe një sërë akuzash lidhur me funksione, tenderë dhe interesa të tjera financiare të personave që, sipas tyre, janë të lidhur me ZNAM-in. Në reagim përmendet edhe pretendimi për ekzistencën e një “ZNAM 2.0“, që sipas LSDM-së paraqet përpjekje përmes një platforme tjetër politike për të ndikuar në zhvillimet brenda LSDM-së. “Versioni i parë hyri në Qeveri. I dyti duhej të ishte në LSDM. Nuk ia doli“, thuhet në reagimin e partisë.

Për këto akuza, në komunikatën e LSDM-së nuk janë paraqitur prova apo dokumente që t’i mbështesin pretendimet. Nga LSDM-ja porosisin se përgjegjësia politike, sipas tyre, do të kërkohet në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa për çdo shkelje të mundshme ligjore kërkojnë edhe përgjegjësi institucionale dhe gjyqësore.

" "
sqShqip