VMRO-DPMNE-ja ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, dhe partisë opozitare, duke i akuzuar se po flasin për mbrojtjen e interesave shtetërore, ndërsa sipas partisë në pushtet, pikërisht ata kanë qenë përgjegjës për vendime që kanë cenuar interesat kombëtare. “Ata që i bënë tradhtitë më të mëdha, që e ndryshuan emrin, nënshkruan dokument të bardhë për kërkesat bullgare dhe i shitën interesat kombëtare, Venko Filipçe dhe LSDM-ja, thonë se Maqedonia nuk është në shitje“, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Nga partia në pushtet thonë se, sipas tyre, ekziston një ironi në deklaratat e Filipçes dhe LSDM-së, duke rikujtuar ndryshimin e emrit të shtetit dhe premtimet e atëhershme për përshpejtimin e integrimit evropian. “Çfarë ironie nga ata që, kur e ndryshonin emrin, i bindnin qytetarët se me këtë Maqedonia do të bëhej anëtare e BE-së dhe kështu do të martohej në një familje të pasur, ndërsa sot janë kundër çdo zhvillimi të shtetit, kurse ne morëm vetëm një fotografi nga aeroplani“, thuhet në kumtesë.

VMRO-DPMNE-ja përmend edhe ish-kryeministrin Zoran Zaev, duke bërë akuza për përfitime personale nga ndryshimi i emrit dhe, siç pretendojnë, nga „shitja e interesave kombëtare“. Këto pretendime në kumtesë nuk shoqërohen me prova. Në reagim, partia në pushtet kritikon gjithashtu periudhën e qeverisjes së LSDM-së në sektorin e shëndetësisë, duke akuzuar Filipçen dhe Zaevin për gjendjen në sistemin shëndetësor dhe për parregullsi të pretenduara lidhur me prokurimet, tenderët dhe furnizimet mjekësore.

VMRO-DPMNE-ja i akuzon ata edhe se, sipas saj, dëshirojnë dështimin dhe stagnimin e vendit, duke përmendur pretendime për kompani në Bullgari, jahte në Greqi dhe aksione në kompani indiane të aviacionit.

" "

Në vazhdim të reagimit, partia në pushtet thotë se qeveria po punon për tërheqjen e investimeve të reja në industri të teknologjisë së lartë, sektorin minerar dhe projekte që, sipas tyre, do të krijonin vende të reja pune. “Ndërsa Qeveria lufton për një investim plus që do të sjellë zhvillim të ekonomisë, industrisë së teknologjisë së lartë, minierave dhe më shumë vende pune, LSDM-ja dhe Filipçe janë kundër“, thuhet në kumtesë.

VMRO-DPMNE-ja e akuzon opozitën edhe për kundërshtimin e ndërtimit të minierave dhe qendrave të të dhënave, duke pretenduar se LSDM-ja favorizon një model ekonomik të lidhur me licencat për kanabis medicinal. Në fund, VMRO-DPMNE-ja sulmon edhe qëndrimet e Filipçes dhe LSDM-së për standarde të dyfishta, duke përmendur emra të njohur të skenës publike dhe raste të lidhura me evente private. “Standardet e dyfishta të Filipçes dhe LSDM-së nuk do t’u kalojnë“, thuhet në reagim, ndërsa partia në pushtet përfundon duke pretenduar se qytetarët i shohin këto politika dhe se LSDM-ja do të mbetet „opozitë e vogël dhe në prag të zhdukjes“.

sqShqip