Dy persona kanë humbur jetën, tre janë lënduar dhe një shofer është arrestuar, ky është bilanci i aksidentit të rëndë trafiku që mbrëmë ka ndodhur në autostradën Kumanovë–Shkup.
Aksidenti është raportuar rreth orës 21:35, te fshati Agino Sellо, në drejtim të Shkupit. Sipas SPB Kumanovë, në aksident kanë marrë pjesë një automjet “Mercedes”, i drejtuar nga një 65-vjeçar nga Shkupi, dhe një “Opel Corsa”, të cilin e drejtonte një 27-vjeçar nga Shkupi.
“Në vendin e ngjarjes kanë ndërruar jetë bashkudhëtarët e automjetit ‘Opel Corsa’, V.N. (49) dhe L.M. (71), nga Shkupi.”
Tre persona të tjerë nga “Opel Corsa” janë lënduar. Më rëndë ka pësuar një bashkudhëtare 48-vjeçare, ndërsa një bashkudhëtar 28-vjeçar dhe shoferi 27-vjeçar kanë marrë lëndime trupore.
“L.N. (48), bashkudhëtare në automjetin ‘Opel Corsa’, ka pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa bashkudhëtari B.N. (28) dhe S.N. (27) nga Shkupi kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në Kompleksin e Klinikave ‘Nënë Tereza’ në Shkup”, njoftoi policia.
Ekipi i SPB Kumanovë ka kryer ekspertizë në vendin e aksidentit, ndërsa me urdhër të prokurorit publik, 65-vjeçari që drejtonte “Mercedesin” është privuar nga liria.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, policia ka paralajmëruar se ndaj tij do të parashtrojë kallëzim përkatës./Lideri

