May 1, 2024
Maqedoni

Lista e zezë e ShBA-së përplas partitë, Jakimovski: Të ketë hetim për përfshirjen në listë

U përfshi në listën e zezë amerikane, por kandidati për president Stevço Jakimovski potencon se me dinjitet ka udhëhequr komunën e Karposhit dhe nuk pranon të jetë në listë të njëjtë me Bin Lladenin dhe përfaqësues të ISIS-it. Njëherit kërkon që për përfshirjen e tij në listë të zhvillohen hetime.

“Ka çështje për të cilat jam përgatitur të flas para cilitdo organ hetues duke i përfshirë edhe atë të ShBA-së dhe në të njëjtën kohë me përgjegjësi them se ka qytetarë të RMV-së të cilët duhet të përgjigjen për punët e pandershme, për kontaktet që i kanë pasur dhe gjatë përgatitjes së këtij operimi për përfshirjen e tyre të drejtpërdrejtë në garën zgjedhore për President të RMV-së.”, – deklaroi kandidati për President, Stevçe Jakimovski.

VMRO-DPMNE: Korrupsioni dhe krimi po metastazën

Zgjerimi i fundit i listës së zezë amerikane me zyrtarë nga vendi përplasi sërish pushtetin dhe opozitën. Sipas opozitares VMRO-DPMNE-ja, LSD-ja dhe BDI-ja e shpëtuan Stevço Jakimovskin nga të gjitha proceset gjyqësore në Maqedoni, por ai është person i padëshirueshëm për Shtetet e Bashkuara, sepse, siç thuhet në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit, ai “ishte i përfshirë në akte korruptive.

“LSD-ja përsërit çdo ditë se janë për Maqedoninë evropiane, për vlerat evropiane, por të gjithë partnerët strategjikë çdo ditë konfirmojnë se janë në koalicion me krimin në Maqedoni. Dëshmia e fundit është pikërisht njoftimi i Departamentit të Shtetit. Kjo është dëshmi se institucionet në Maqedoni nuk funksionojnë dhe korrupsioni dhe krimi po metastazon.”.

LSDM: Shpejt të miratohet ligji për masa kufizuese

Ndaj këtyre akuzave reagojnë nga LSDM-ja duke ftuar VMRO DPMNE-në të thërrasë Komisionin për punë të jashtme dhe të miratojë ligjin për masa kufizuese sa më shpejtë.

“VMRO-DPMNE-ja çdo ditë flet për krim dhe korrupsion dhe si do të luftojnë kundër tyre, por kur kanë mundësi ta bëjnë këtë gjë mbrojnë krimin dhe korrupsionin. Ja ku kanë edhe një mundësi, pa fjalë, por me vepra të flasin përmes ligjit për masa kufizuese për luftë aktive kundër krimit dhe korrupsionit në vend që të bllokojnë në mënyrë aktive Kuvendin që po e bëjnë veç më katër vite, por mendoj se bashkërisht mund të votojmë këtë ligj.”, – theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.

Millanov: Sanksionimi bëhet edhe me ligjin ekzistues

Por, sipas avokatit Elenko Milanov, këta funksionarë mund të sanksionohen edhe me ligjin ekzistues, sepse ka shumë dispozita në bazë të të cilave prokuroria mund t’i përndjek.

“Konsideroj se ShBA-ja nuk do të merrte guximin të pohojë diçka pa pasur argumente të fuqishme, por problemi qëndron në faktin se ato argumente nuk i japin dhe nuk i orientojnë se për cilat lëndë bëhet fjalë. A kemi të bëjmë për lëndë aktuale apo lëndë për të cilat nuk është iniciuar procedurë. Nëse konstatohet përgjegjësi penale, ligji për procedurë penale dhe kodi penal kanë dispozita përmes të cilave mund të konfiskohet apo të merret interesi pasuror dhe në këtë mënyrë rregullohet kjo problematikë.”, – u shpreh avokati Elenko Millanov.

Iniciatore e ligjit për masa kufizuese është zëvendëskryeministrja për Qeverisje të Mirë, Sllavica Gërkovska. Ajo konsideron se përmes këtij ligji do të kthehet besimi te institucionet dhe nuk do t’u lejohet personave që janë nën hetim të Prokurorisë të marrin pjesë në garën presidenciale.