May 22, 2024
Maqedoni

Kumanovë, nga e enjtja në çerdhe nuk do të pranohen fëmijët e pavaksinuar

Drejtoria e çerdhes për fëmijë “Angell Shajçe” në Kumanovë ka vendosur që aplikimin e masës për mospranimin e fëmijëve të pavaksinuar ta fillojë nga dita e enjte duke u dhënë hapësirë prindërve që sa më shpejtë t’i vaksinojnë fëmijët e tyre që të munden lirshëm dhe të sigurt që t’i dërgojnë në çerdhe. Kjo edhe nga fakti që prindërit të kenë kohë të përgatiten dhe organizohen për përkujdesjen e fëmijëve të tyre deri sa të vaksinohen.

Edhe përkundër rekomandimeve nga Ministria e Shëndetësisë për mospranimin e fëmijëve të pavaksinuar nëpër çerdhe, drejtoresha e çerdhes “Angel Shajçe” në Kumanovë, Marina Aleksovska, na njoftoi se kjo masë në çerdhet e Kumanovës do të aplikohet nga dita e enjte, me qëllim që prindërve t’u lihet kohë dhe hapësirë rreth organizimit për përkujdesjen e fëmijëve deri në vaksinimin e tyre. Masa tashmë është në fuqi, kurse vendimi për këtë tashmë është i shpallur në hyrjet e çerdheve, kurse udhëheqësit tashmë i kanë informuar prindërit e fëmijëve.

“As dje e as sot asnjë fëmijë i pavaksinuar nuk është kthyer në shtëpi, me qëllim që prindërit të përgatiten dhe të organizohen për përkujdesjenn e fëmijëve të tyre, të cilët ende nuk janë vaksinuar. Kemi reagime të shumta nga prindërit, fëmijët e të cilëve nuk janë tërësisht të imunizuar me kalendarin për imunizim, por kur të vijnë inspektorët atëherë do ta shohim se çka më tutje, sepse disa prej fëmijëve kanë vërtetim shëndetësorë real se nuk guxojnë të vaksinohen.”, – deklaroi drejtoresha e çerdhes “Angel Shajce”- Kumanovë, Marina Aleksovska.

Sa i përket vaksinimit, me vaksinat kundër Pertusis apo kollës së keqe, në IShP, në Shtëpinë e Shëndetit në Kumanovë pa ndërprerë dhe pa pengesa po rrjedhë procesi i vaksinimit. Nga këtu thonë se mënyra e vetme parandaluese e kësaj sëmundjeje është vaksinimi, proces që zhvillohet në disa faza edhe atë sipas kalendarit për vaksinim.

“Për momentin kemi fluks të madh të pacientëve për shkak se nëpër çerdhe nuk po i pranojnë fëmijët pa 4 dozat e vaksinës kundër Pertusis, pra kemi numër të shtuar, nëse nuk vijnë të vaksinohen ne do t’i thërrasim përmes telefonit. Sa i përket numrit, vetëm dje kemi pasur mbi 120 vaksinime në të dyja ndërrimet.”, – theksoi mjekja në IShP “Shtëpia e Shëndetit Kumanovë”, Qefajete Bajrami për TVM2.

Nga “Shtëpia e Shëndetit” gjithashtu njoftojnë se për shkak të fluksit të madh të pacientëve punojmë çdo ditë pune me dy ndërrime edhe atë nga ora 07:00 deri në ora 19:00, gjithashtu ju njoftojmë se disponojmë me vaksina të mjaftueshme, efektive, të sigurta dhe pa efekte anësore.

Ndryshe nëpër çerdhet e Kumanovës janë të vendosur 1.790 fëmijë, kurse 100 të tjerë presin për t’u pranuar gjë që tani, siç thonë nga komisioni ky proces është vështirësuar pasi kushti i parë është të jenë të vaksinuar. Megjithatë duhet përmendur se gjendja me kollën e keqe në Kumanovë është më stabile. Deri tani janë të evidentuar 6 raste të izoluara të cilët nuk kanë qenë në çerdhe.