May 22, 2024
Maqedoni

KShZ: U dorëzuan 7 kandidatura për president

Deri në përfundim të afatit, mbrëmë në orën 00:00, shtatë kandidatë kanë dorëzuar në KShZ kandidaturat për të hyrë në garën presidenciale. Kandidatura zyrtarisht dorëzuan: Stevo Pendarovski, i mbështetur nga koalicioni i LSDM-së; Stevçe Jakimovski nga “GROM”; Maksim Dimitrievski nga partia “E di”; Bujar Osmani, i mbështetur nga BDI; Arben Taravari, i mbështetur nga Koalicioni i opozitës shqiptare “Vlen”; Biljana Vankovska, e mbështetur nga partia E Majta; Gordana Siljanovska – Davkova nga VMRO-DPMNE. Pas dorëzimit të kandidaturave në KShZ rrjedh afati 24 orësh për kontrollin e kandidatëve, nëse ata i plotësojnë kushtet për të qenë zyrtarisht kandidat për President, ndërsa më së voni deri më 28 mars në KShZ do të duhet të përcaktohet edhe radhitja e kandidatëve në fletëvotime.

Në ndërkohë, KShZ-ja ka informuar se për zgjedhjet presidenciale në diasporë do të vijnë gjithsej 2.680 mërgimtarë. Votimi për presidencialet do të organizohet në 40 shtete. Por ky numër i paraqitur të votuesve në diasporë, nuk do të plotësojë censusin e nevojshëm për të votuar në zgjedhjet parlamentare, pasi nga KShZ-ja kanë sqaruar se për të zgjedhur deputetin në njësinë e shtatë zgjedhore dhe për t’i organizuar zgjedhjet parlamentare në diasporë, duhet të paraqiten së paku 5.355 mërgimtarë. Por vendimin përfundimtar rreth asaj se a do të organizohen ose jo zgjedhje parlamentare më 8 maj në diasporë, KShZ-ja do ta merr në një nga seancat e radhës.

Ndërkohë në KShZ vijon afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë që zgjat deri më 2 prill. Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale mbahen më 24 prill, ndërsa rrethi i dytë më 8 maj, dita kur mbahen edhe zgjedhjet parlamentare. Fushata zgjedhore e presidencialeve do të zhvillohet prej datës 4 deri më 22 prill, ndërsa fushata parlamentare prej më 18 prill deri më 6 maj, transmeton TVM2.