Tentativa për të djegur objektin e Komunitetit Hebraik dhe sinagogën “Bet Jakov” në Shkup përbën një goditje ndaj paqes, stabilitetit dhe bashkëjetesës që prej shekujsh kultivohen në tokën e Maqedonisë dhe mbi të cilat bazohet shoqëria jonë. Çdo cenim i një vendi të shenjtë të tjetrit, pavarësisht cilës bashkësie fetare i përket, nënkupton shkelje të vlerave themelore të respektit, lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Mosrespektimi i shenjtërisë së tjetrit është edhe mosrespektim i shenjtërisë së vetvetes, thuhet në reagimin e Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare dhe Grupet Fetare dhe të krerëve të pesë bashkësive fetare në vend, i cili u lexua sot në konferencë për shtyp nga drejtoresha e Komisionit, Olivera Trajkovska.

Ajo tha se ata e dënojnë ngjarjen e pakëndshme që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të 12 prillit dhe shprehin solidaritet dhe mbështetje për Komunitetin Hebraik.

“Prandaj, në frymën e bashkëpunimit ndërfetar dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, bëjmë thirrje që të gjithë qytetarët të tregojmë përgjegjësi, arsye dhe virtyt dhe të mbetemi ruajtës të bashkëjetesës. Respekti i ndërsjellë është ndër vlerat më të mëdha që kemi, ndaj duhet ta ruajmë dhe ta lëmë si amanet për brezat e ardhshëm”, shtoi Trajkovska.

Në konferencë ishin të pranishëm kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase – kryepeshkopi Stefan, peshkopi i Kishës Katolike, Kiro Stojanov, kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Reis ul Ulema Shaqir Fetahu, kryetari i Komunitetit Hebraik Pepo Levi dhe kreu i Kishës Ungjillore-Metodiste, pastori Marjan Dimov.

sqShqip