Koha është pasuria më e shtrenjtë, njeriu që e respekton atë, respekton veten, popullin dhe historia e mban mend.

Etem Xheladini

Koha është gjykatësi më i drejtë i njeriut. Ajo nuk fal neglizhencën, nuk shpërblen vonesën dhe nuk rikthen asnjë mundësi të humbur. Çdo minutë që kalon është një pjesë e jetës që largohet përgjithmonë. Pikërisht për këtë, urtësia popullore na porosit, “Punën e sotme mos e lër për nesër.” Kjo nuk është vetëm një thënie e mençur, por një ligj i pashkruar i suksesit, përgjegjësisë dhe dinjitetit.
Njeriu i mençur nuk e shpenzon kohën me urrejtje, me fjalë boshe apo me përçarje. Ai e shndërron atë në punë, në vepra të mira, në ndihmë për të tjerët dhe në shërbim ndaj shoqërisë. Mirësia e bërë në kohën e duhur ka vlerë të përjetshme, ndërsa mirësia e vonuar shpesh mbetet vetëm një pendim pa peshë.
Mos e lëndoni zemrën e një njeriu të ndershëm, mos e përdorni kohën për padrejtësi, sepse plagët që shkakton padrejtësia nuk i shëron as pendimi i vonshëm. Fjalët mund të harrohen, por veprat mbeten dëshmi e karakterit dhe e ndërgjegjes të secilit.
Më shqetësues është fakti se shumë njerëz, e sidomos politikëbërës, kujtohen për interesin e qytetarëve vetëm kur koha ka kaluar. Heshtin kur duhet të flasin, nuk veprojnë kur duhet të marrin vendime. Mungojnë kur populli pret përgjegjësi. Pastaj dalin para opinionit me deklarata triumfuese, sikur historia fillon në ditën kur ata vendosin të flasin.
Nuk ka meritë të mbërrish pasi beteja ka përfunduar. Nuk ka lavdi të marrësh vendime kur pasojat janë bërë të parikthyeshme. Nuk ka dinjitet të krekosesh me atë që duhej bërë dje. Historia nuk i nderon ata që ecin pas kohës, por ata që e kuptojnë ritmin e saj dhe veprojnë me guxim, urtësi dhe përgjegjësi.
Një drejtues që nuk di ta lexojë kohën, nuk mund ta udhëheqë të ardhmen. Një politikë që vonohet përballë nevojave të popullit shndërrohet në barrë, jo në shpresë. Populli nuk ka nevojë për fjalime të gjata, por për vendime të drejta, të guximshme dhe të marra në kohën e duhur. Dinjiteti nuk fitohet me propagandë, me fotografi apo me fjalë të bukura.
Dinjiteti fitohet kur fjala përputhet me veprën, kur përgjegjësia i paraprin interesit personal dhe kur koha respektohet si amaneti më i shenjtë. Mos ecni pas kohës duke u përpjekur ta arsyetoni vonesën, ecni me të, sepse veprat që kryhen në kohën e duhur bëhen histori, ndërsa ato që bëhen me vonesë mbeten vetëm justifikime.
Koha nuk pret askënd, ajo nuk njeh privilegje, nuk bën dallime dhe nuk fal papërgjegjësinë. Në fund, nuk do të kujtohemi për premtimet që dhamë, por për veprat që realizuam. Prandaj, shfrytëzojeni kohën për të bërë mirë, për të ruajtur dinjitetin, për t’i shërbyer popullit dhe për të lënë pas vepra që flasin më fort se çdo fjalim.
Sepse koha ikën, por përgjegjësia mbetet. Dhe historia nuk shkruhet nga ata që vonohen, por nga ata që veprojnë në kohën e duhur.

sqShqip