May 2, 2024
Maqedoni

Kiçeec ka drejtuar njërën makinë i shoqëruar nga dy serbë, reagime rreth aksidentit tragjik në rrugën Kërçovë-Gostivar

Një 34 vjeçar nga Gostivari ka humbur jetën ndërsa shtatë të tjerë janë lënduar në aksidentin ku mori pjesë edhe i dënuari Zoran Mileski- Kiçeec. Siç informojnë nga Ministria e Brendshme, Kiçeeci në momentin e aksidentit ka vozitur makinë Mercedes, i shoqëruar nga dy shtetas serb. Aksidenti ka ndodhur në rrugën magjistrale Gostivar-Kërçovë mes makinës së Kiçeecit, një makinë BMW dhe automjet transportues. Në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë bashkë- udhëtari i automjetit transportues nga Gostivari. Kiçeec i cili e pranoi fajin në rastin “Reket”, po vuan dënimin me burg prej 3 viteve në Strugë. Por, siç njoftojnë nga Drejtoria e burgut, Kiçeec për momentin është në ndërprerje 30 ditore të dënimit për shkaqe shëndetësore. Nga ky institucion pohojnë se vendimi është marrë në bazë të dokumentacionit mjekësor dhe vlen deri më 8 shtator. Burgu i Strugës është i llojit të mbyllur ndërsa nga Drejtoria shprehen se Kiçeec ka të drejtë të dalë çdo ditë për punë, fundjavë njëherë në muaj si dhe të drejtë për pushim vjetor. Për lirimin e Kiçeecit kanë reaguar edhe nga VMRO DPMNE. Sipas opozitës pas aksidentit, në vend ngjarje kanë shkuar punonjës të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, për siç thonë tentimin e fshehjes së informatave rreth ngjarjes.