Kandidati i VLEN-it për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Jakup Huseini, ka deklaruar se, nëse merr mandatin nga qytetarët, do të angazhohet për zgjidhjen e problemeve dhe nevojave të banorëve të komunës.
Në një intervistë me gazetaren Liridona Vejseli në emisionin “Pa Censurë”, Huseini tha se përvoja e tij gjashtëvjeçare si nëpunës komunal i ka mundësuar të jetë i njohur nga afër me problematikat dhe nevojat e banorëve.
“Si bir i këtij vendi, i këtij territori, si nëpunës komunal për gjashtë vite me radhë, ashtu siç kam pasur përkushtimin për të gjitha vendbanimet, lagjet dhe fshatrat, me të njëjtin angazhim, ndoshta edhe më tepër, do të mundohem në pozicionin si kryetar komune që trajtimi i njerëzve të jetë në nivel edhe më të lartë”, deklaroi Huseini.
Ai theksoi se prioritet do të jenë, sipas tij, hallet, nevojat dhe problemet e qytetarëve, me synimin që Komuna e Bërvenicës të zhvillohet më tej.
Huseini tha gjithashtu se synon krijimin e kushteve që diaspora të ketë më shumë vullnet për t’u kthyer, për të investuar dhe për të kontribuar në zhvillimin e vendbanimeve të komunës.

