Bashkëkryetari i VLEN-it Izet Mexhiti ka reaguar pas vendimit për heqjen e licencës së kompanisë “Credi Yes” dhe mbylljen e 40 filialeve të saj, duke e cilësuar këtë si fillimin e fundit të, siç e quajti ai, “perandorisë kredi-kumar-zhvatje”.
Në një postim publik, Mexhiti theksoi se lufta kundër kredive të shpejta dhe industrisë së kumarit nuk ka qenë slogan elektoral, por zotim ndaj qytetarëve.
“Vendimi për heqjen e licencës së ‘Credi Yes’ dhe mbylljen e 40 filialeve të saj është sinjal i qartë se koha e paprekshmërisë po merr fund. Është dëshmi se institucionet më në fund po veprojnë kundër një sistemi që për vite të tëra ka rënduar jetën e qytetarëve dhe ka goditur mijëra familje”, ka shkruar Mexhiti.
Ai paralajmëroi se kjo luftë do të hasë në pengesa nga “grupe të fuqishme interesi, nëntoka dhe krimi i organizuar”, por shtoi se VLEN nuk do të tërhiqet nga ky angazhim.
Sipas tij, institucionet tashmë po reagojnë kundër skemave që, siç tha, kanë përfituar nga borxhet dhe dëshpërimi i qytetarëve.
“Unë dhe VLEN do të vazhdojmë të qëndrojmë në mbrojtje të qytetarëve. Kundër çdo forme të zhvatjes financiare, kundër varësisë nga kumari dhe kundër çdo skeme që i fut njerëzit në borxhe, pasiguri dhe dëshpërim”, ka deklaruar Mexhiti

