Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, ka bërë të ditur se pas 58 vitesh, shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut po u krijohet mundësia që provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën shqipe.
I ftuar në podcastin “Fol”, me gazetarin Nexhat Aqifi në TV Festa Kumanovë, Sulejmani theksoi se që nga miratimi i ligjit për provimin e jurisprudencës në vitin 1968, ky provim është zhvilluar ekskluzivisht në gjuhën maqedonase.
Sipas tij, zgjidhja e re përbën një hap të rëndësishëm për avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe në sistemin e drejtësisë dhe për garantimin e të drejtave të kandidatëve shqiptarë.
Gjatë intervistës, Sulejmani shpalosi edhe prapaskenat politike që i paraprinë kësaj nisme, duke theksuar se pengesat e hasura gjatë kohës së ish-ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov e shtynë VLEN-in të kërkojë marrjen në drejtim të këtij resori gjatë rikonstruktimit të Qeverisë.
“Për këtë arsye kërkesa e VLEN-it ishte që ta marrë në menaxhim Ministrinë e Drejtësisë dhe të merret në mënyrë direkte me zgjidhjen e kësaj problematike. Dhe kështu ndodhi”, deklaroi Sulejmani duke shtuar se me emërimin e profesorit Jeton Shasivari në krye të Ministrisë së Drejtësisë, procesi mori një dinamikë të re.

