April 28, 2024
Maqedoni

Ilir Demiri: Mafia urbane me dhunë privatizon tokë në spitalin e Tetovës

Në hapësirat e Spitalit të Tetovës janë privatizuar 97 metra katrorë tokë në vendin ku ndodhet edhe një pjesë e rezervuarëve të naftës të spitalit që janë mbi 50 vjet në shfrytëzim të spitalit dhe është pronë e spitalit. Këtë e ka bërë të ditur sot drejtori i Spitalit të Tetovës Ilir Demiri, i cili tha se mafia urbane me ndihmën e udhëheqësisë paraprake të Komunës, duke mos cekur emër konkret se për cilin kryetar bëhet fjalë, ka tendenca të privatizojë dhe tokën deri te lumi pronën e spitalit dhe t’i pengohet dalja spitalit në rrugën “Bllagoja Toska”, raporton Poralb.mk.

Demiri tha se parcela prej 97 metra katrorë është e privatizuar në kohën e kaluar prej ish-kryetarit të komunës dhe shefit të kabinetit të kryetarit të komunës. Por ai nuk tregoi se për cilën udhëheqësi flitet.

“I keni edhe vijat atje si është e matur me gjeodezi. Problemi qëndron se kanë privatizuar edhe një pjesë të rezervuarëve të naftës të spitalit që janë mbi 50 vjet në shfrytëzim të spitalit dhe është pronë e spitalit. Kjo praktikisht është pronë e RMV në shfrytëzim prej Spitalit të Tetovës, kurse unë jam përfaqësuesi i Spitalit të Tetovës. Problemi qëndron se këto njerëz që merren me mafien urbane kanë tendenca të privatizojnë deri te lumi pronën e spitalit dhe t’i pengohet spitalit dalja në rrugën Bllagoja Toska. Unë ju thirra që t’i informojmë opinionin e gjerë, t’i informojmë qytetarët…. a ju do merrni informacione prej në urbanizëm kush e ka privatizuar, si e ka privatizuar edhe prokuroria organet tjera duhet t’i ndjekin, t’i përcjellin mënyrën e privatizimit si ka ndodh”, tha Demiri.

Ai tha se i kanë informuar institucionet kompetente.

“Institucionet për fat të mirë nuk u kanë dhënë leje dhe nuk u kanë mundësuar, por ato mendohen me dhunë ta realizojnë”, tha Demiri.

Nga Komuna e Tetovës na njoftuan se nesër kryetari i komunës, Bilall Kasami do të flasë para mediave me dokumente për rastin në fjalë pasi është në Austri.