Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se rezultati i zgjedhjeve parlamentare nuk i ka dhënë asnjë partie të drejtën për të qeverisur e vetme, duke theksuar se krijimi i institucioneve duhet të bazohet në bashkëvendimmarrje mes pozitës dhe opozitës.

Duke komentuar mosarritjen e një marrëveshjeje në takimet e fundit, Haradinaj tha se verdikti i qytetarëve kërkon ndarje të përgjegjësive në procesin e vendimmarrjes.

“Qytetari ka votuar, populli ka votuar, sot jemi deputetë të zgjedhur. Ky rezultat kërkon bashkëvendimmarrje ose vendimmarrje të përbashkët. Nuk i ka dhënë një shumicë të duhur partisë fituese dhe, kuptohet, për të arritur në krijimin e institucioneve kërkohet vendimmarrje e përbashkët”, tha ai.

Sipas Haradinajt, deri më tani nuk është ofruar një model i bashkëvendimmarrjes, por vetëm një ftesë që opozita të bëhet pjesë e qeverisë.

" "

“Ajo që kemi parë deri tani është një pozicion i tillë që nuk ofron bashkëvendimmarrje ose vendimmarrje të përbashkët, por i është ofruar opozitës për përfitimin e pushtetit, pra me i dhënë përfitime ose pjesëmarrje në pushtet. Kjo nuk e reflekton rezultatin. Dallimi mes numrit të deputetëve, të shqiptarëve po flas, të pozitës dhe opozitës nuk është aq i madh sa që vetëm fituesi i zgjedhjeve të mbajë vendimmarrjet”, tha ai.

Ai shtoi se rezultati zgjedhor duhet të lexohet si nevojë për ndarje të përgjegjësive institucionale.

“Për me e thjeshtuar edhe më shumë, nga dy postet e para, në këtë rast kryeministri që është posti kryesor sepse udhëheq qeverinë, ekzekutivin, dhe presidenti, njëri nga të dy postet në bazë të rezultatit zgjedhor i takon opozitës. Ai që ka fituar zgjedhjet, nëse ka logjikë demokratike, e lexon kështu rezultatin e zgjedhjeve”, tha ai.

Haradinaj akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po synon të mbajë të gjithë pushtetin vendimmarrës.

“Nëse ka logjikë regjimi, e që në fakt kjo logjikë po ndodh me Kurtin, ai nuk dëshiron vendimmarrje të përbashkët ose ndarje të vendimmarrjes. Kurti po i kërkon të gjitha situatat ose pozitat ose institucionet vendimmarrëse për vete dhe në njëfarë mënyre po synon me e poshtruar opozitën duke i ofruar vetëm përfitime të pushtetit, pra vetëm pjesëmarrje në qeverisje. Kjo nuk është ashtu siç ka vendosur qytetari. Është logjikë e regjimit. E këtë udhëheqësit e regjimeve totalitare të frikësohen nga bashkëvendimmarrja ose nga ndarja e vendimmarrjes”, tha ai.

Ai theksoi se opozita mund të kontribuojë në krijimin e institucioneve vetëm nëse është pjesë e vendimmarrjes.

“Unë mendoj që opozita mundet me ndihmuar në krijimin e institucioneve, por kuptohet duhet të ketë bashkëvendimmarrje, jo vetëm marrje pjesë në ekzekutiv që nënkupton pra vetëm përfitime për pushtet”, tha ai.

I pyetur për referencat ndaj kryetarit të Aleancës, Ardian Gjini, Haradinaj e vlerësoi punën e tij në krye të partisë dhe të Komunës së Gjakovës.

“Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka ushtruar shumë funksione. Është kryetar shumë i suksesshëm i Komunës së Gjakovës edhe shihen zhvillimet në Gjakovë, po u tregua edhe kryetar i suksesshëm i partisë që udhëheq. Ka dëshmuar me rezultate, pra menjëherë kemi ngritje që është një situatë e re”, tha ai.

Sipas Haradinajt, thelbi i çështjes mbetet mënyra se si interpretohet rezultati zgjedhor.

“Bëhet fjalë: a pranon, a e lexon rezultatin udhëheqësi i regjimit si bashkëvendimmarrje apo jo? Nëse nuk e pranon se rezultati është bashkëvendimmarrje, nuk ia ka dhënë qytetari i Kosovës votën për vendimmarrje si i vetëm, për të udhëhequr me të gjitha institucionet e vendit, për të pasur një kontroll absolut. Ia ka zbritur votën, është e vërtetë që përqindje ka, po ia ka zbritur qindra mijëra vota. Nëse ai nuk e lexon kështu, i bie që është e kotë edhe mbajtja e takimeve”, tha ai.

Haradinaj përsëriti se Aleanca nuk synon të hyjë në qeveri vetëm për poste.

“Nuk mendoj që opozita e ndihmon Kosovën duke u bërë pjesë e qeverisjes Kurti vetëm për përfitime të pushtetit. Opozita kishte mundur me e ndihmuar Kosovën duke u bërë pjesë e vendimmarrjes. Aleanca nuk synon pra në asnjë variant vetëm përfitimet e pushtetit, por nëse kemi realisht me e ndihmuar Kosovën në krijimin e institucioneve në ndarjen e vendimeve ose në bashkëvendimmarrje, atëherë po”, tha ai.

I pyetur nëse njëri nga postet kryesore duhet t’i takojë opozitës, Haradinaj sqaroi se nuk e kishte fjalën domosdoshmërisht për postin e presidentit.

“Jo, nuk është presidenti. Njëra. Njëra. Pra në marrëveshje me partinë fituese, mundet partia fituese me të drejtë me kërkuar kryeministrin, por mundet edhe në çfarëdo rruge dikush nga opozita me u bërë kryetar qeverie, sepse ndërtimi i institucioneve nënkupton edhe zgjedhjen e presidentit, dhe është bashkëvendimmarrja”, tha ai.

Ndërsa lidhur me mundësinë e votimit të presidentit të ardhshëm, Haradinaj tha se kjo varet nga një marrëveshje politike për ndarjen e vendimmarrjes.

“E shihni që tani votat për presidentin janë marrëveshje politike e dy të tretave. Duhet të sqarohet pra a është një situatë e ndarjes së vendimeve, pra nëse bëhet fjalë vetëm për pjesëmarrjen në pushtet kuptohet që nuk kemi pse me u kyçur në diskutime”, shtoi Haradinaj.

sqShqip