Nga kreshta digës së Ujmanit, e lartë 107 metra, e gjerë afërsisht 10 metra dhe e gjatë gjysmë kilometri, te hidrocentrali i liqenit më të madh të Republikës sonë, sot pamë nga afër punën që bëhet në shërbimin e mirëmbajtjes së liqenit, digave dhe infrastrukturës, e po ashtu departamentin e ujit dhe gjenerimit, deri te prodhimi i energjisë elektrike.
Derisa “Ibër Lepenci” me rrjetin e kanaleve është tejet i rëndësishëm për furnizimin me ujë për industrinë me theks termocentralet në Kastriot, por edhe për bujqësinë dhe amvisërinë, hidrocentrali është jetik për qëndrueshmërinë financiare të kësaj ndërmarrje. Dhjetëra punëtorë të komunitetit serbë e dhjetëra të tjerë shqiptarë punojnë në ndërmarrjen publike hidroekonomike dhe shumëfunksionale “Ibër Lepenci”, në kuadër të së cilës funksionon hidrocentrali me kapacitet prodhues prej 35 MW, përkatësisht me dy turbina me nga 17.5 MW secila.
Në vitin 2025 ndërmarrja ka arritur 12.8 milionë euro qarkullim dhe fitimi neto pas heqjes së zhvlerësimit ishte 1.76 milionë euro. Ajo ka dal me fitim financiar në vazhdimësi që nga viti 2022. Për herë të parë kjo pas luftës së fundit. Në katërvjeçarin 2022-2025, ndërmarrja ka shënuar fitim rreth 4.3 milionë euro, ndërkaq në katërvjeçarin paraprak, 2018-2021, ka pasur 13.8 milionë euro humbje.
Nga viti 2024, “Ibër Lepenci” tregton në bursën e përbashkët energjetike Kosovë-Shqipëri “ALPEX”, që i ka mundësuar ndërmarrjes të rrisë dhe të stabilizojë të hyrat. Në vitin 2024 ajo ka nënshkruar një memorandum të bashkëpunimit me Agjencinë Zhvillimore të Francës (AFD) dhe ndërmarrjen SCP për të siguruar një studim fizibiliteti për modernizimin e skemës së ujitjes, rehabilitimin dhe rritjen e efiçiencës së hidrocentralit, mundësi të reja gjeneruese, si dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore. Ndërkaq, me përkrahjen e Bankës Botërore ka filluar studimi i diligjencës për rehabilitimin e hidrocentralit, me ç’rast raporti përfundimtar dorëzohet në shtator, sivjet. Ndërmarrja pastaj do të aplikojë për asistencë teknike për dizajnin e detajuar përmes fondit të WBIF.

