Ish luftëtari i UÇK-së, Granit Osmani, ka reaguar lidhur me protestën për krerët e UÇK-së, duke theksuar se qëndrimi i tij ndaj kauzës nuk ka ndryshuar, por se kundërshton përdorimin e saj për interesa partiake.
Osmani thotë se fillimisht kishte bërë thirrje për mbështetje masive të protestës, por pasi, sipas tij, u bë e qartë se pas organizimit qëndronte një subjekt politik, ai tërhoqi mbështetjen për atë organizim.
“UÇK-ja nuk është pronë e BDI-së. Bashkëluftëtarët nuk janë dekor për mbijetesën politike të askujt. As vuajtja e tyre nuk mund të shndërrohet në kapital politik”, shprehet Osmani.
Ai thekson se ka marrë pjesë në marshin në mbështetje të krerëve të UÇK-së për shkak të kauzës dhe jo për ndonjë agjendë partiake.
“Kam qenë në luftë. Jam invalid lufte. E di çfarë do të thotë sakrifica dhe e di shumë mirë dallimin mes luftës për një kauzë dhe luftës për një parti”, shprehet ai.
Osmani u është përgjigjur edhe kritikave nga BDI-ja dhe portalet që ai i quan të afërta me këtë parti.
“BDI-ja dhe portalet e saj le të mos tentojnë të më mësojnë mua se çfarë është patriotizmi dhe çfarë është besnikëria ndaj UÇK-së”, ka thënë Osmani.
Në fund, ai ka bërë të qartë se do të vazhdojë të mbështesë kauzën dhe bashkëluftëtarët, por jo përdorimin e emrit të UÇK-së për interesa politike.
“Kauzën do ta mbështes. Bashkëluftëtarët do t’i mbështes. Por asnjë parti nuk do të ketë të drejtë ta përdorë emrin e UÇK-së si mburojë për interesat e veta politike”, shkruan Osmani duke e mbyllur reagimin me mesazhin: “Liri për çlirimtarët”.

