Sot, me fillim nga ora 18:00, në Çarshinë e Shkupit, përballë qebaptores “Pçella”, do të bëhet hapja e shtabit të Vetëvendosjes për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, që mbahen më 7 qershor.
Burime nga Vetëvendosja në Prishtinë thonë për portalin Lideri.mk se delegacionit të tyre që do të vijë në Shkup për hapjen e shtabit, do t’i prijë ministri i punëve të jashtme dhe diasporë, Glauk Konjufca, politikan i VV-së i njohur për lidhjet e afërta familjare e miqësore me Shkupin. Ai do të shoqërohet edhe nga përfaqësues tjerë të lartë.
Në Shkup do të mirëpriten poashtu nga përfaqësues të lartë të koalicionit VLEN.
Ndryshe, ky organizim vjen pas integrimit të strukturave të Vetëvendosjes në Maqedoninë e Veriut në kuadër të koalicionit VLEN dhe shihet si pjesë e mobilizimit dhe organizimit për mbështetjen e procesit zgjedhor në Kosovë.
Në aktivitet pritet të marrin pjesë aktivistë, përkrahës dhe figura politike nga vendi, ndërsa sipas informacioneve jozyrtare, nuk përjashtohet mundësia e pranisë edhe të ndonjë figure të rëndësishme politike nga Kosova.
Hapja e shtabit nis në ora 18:00.

