Më 12 nëntor 2026 u zhvillua në formën online mbledhja inauguruese e Bordit Këshillëdhënës të Komunitetit (Community Advisory Board – CAB), një mekanizëm bashkëpunimi i themeluar në kuadër të partneritetit ndërmjet Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës dhe Northern Illinois University (NIU) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky bord përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt institucionalizimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe komunitetit shkollor, duke krijuar një platformë të përbashkët për identifikimin e nevojave arsimore, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe zhvillimin e qasjeve bashkëkohore në mësimdhënie.
Në këtë takim morën pjesë mësimdhënës të shkollave fillore nga Maqedonia e Veriut, të cilët janë pjesë e këtij bordi: Syarta Lutfiu, Leonora Sulejmani-Alili, Vlera Shabani-Kadriu, Mimoza Veliu dhe Shpend Nebiu. Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës u përfaqësua nga dekani, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, Prof. Dr. Teuta Ramadani-Rasimi, Prof. Dr. Arbresha Zenki-Dalipi dhe Prof. Dr. Makfirete Ameti. Në takim ishte e pranishme edhe dekania e Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Sheruze Osmani-Ballazhi. Ndërkaq, nga Northern Illinois University, veprimtarinë e udhëhoqi Dr. Eric Junco.
Në qendër të diskutimeve ishte të nxënit social dhe emocional (Social and Emotional Learning – SEL), rëndësia e të cilit po merr gjithnjë e më shumë vëmendje në zhvillimin e mjediseve gjithëpërfshirëse dhe mbështetëse të të nxënit. Përmes këtij bashkëpunimi synohet që parimet dhe praktikat e SEL-it të shqyrtohen në raport me nevojat konkrete të shkollave në vend, duke krijuar mundësi për integrimin e tyre në procesin e përditshëm mësimor.
Pjesa e parë e takimit iu kushtua njohjes dhe krijimit të një klime bashkëpunuese ndërmjet anëtarëve të bordit. Përmes aktivitetit ndërveprues “Pika të përbashkëta: Kemi më shumë të përbashkëta sesa mendojmë”, pjesëmarrësit ndanë interesa, përvoja dhe elemente të përbashkëta që shkojnë përtej angazhimit të tyre profesional. Kjo qasje synoi të nxisë komunikimin e hapur, mirëkuptimin dhe krijimin e marrëdhënieve të besueshme, si parakushte për një bashkëpunim të qëndrueshëm.
Në vijim, Dr. Eric Junco prezantoi ecurinë e bashkëpunimit ndërmjet NIU-së dhe UT-së, rezultatet e punës kërkimore, si dhe objektivat dhe drejtimet kryesore të veprimtarisë së CAB-it. Një pjesë e rëndësishme e prezantimit iu kushtua kuadrit të kompetencave të përcaktuara nga organizata CASEL, i cili përfshin pesë fusha themelore të zhvillimit social dhe emocional: vetëdijen për veten, vetëmenaxhimin, vetëdijen shoqërore, aftësitë e marrëdhënieve dhe vendimmarrjen e përgjegjshme.
Trajtimi i këtyre kompetencave u shoqërua me diskutime mbi mënyrat se si ato mund të gjejnë zbatim në realitetin shkollor të vendit. Përvojat e drejtpërdrejta të mësimdhënësve, sfidat me të cilat përballen në klasë dhe nevojat e nxënësve u konsideruan si pikënisje për përshtatjen e praktikave dhe strategjive të prezantuara. Në këtë mënyrë, bordi synon të shërbejë si një urë lidhëse ndërmjet njohurive shkencore, përvojës profesionale dhe kërkesave të praktikës së përditshme arsimore.
Aktivitetet e ardhshme të CAB-it do të përfshijnë një program të vazhdueshëm takimesh dhe zhvillimi profesional, përmes trajnimeve tematike, diskutimeve të strukturuara dhe prezantimit të përvojave e praktikave të suksesshme nga mësimdhënës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Anëtarët e bordit do të kenë mundësi të njihen me strategji dhe modele konkrete të punës, t’i përshtatin ato me veçoritë gjuhësore, kulturore dhe zhvillimore të nxënësve në shkollat vendore, si dhe t’i vënë në zbatim përmes aktiviteteve praktike në klasë.
Një dimension i rëndësishëm i këtij procesi do të jetë edhe vlerësimi dhe reflektimi mbi përvojat e fituara gjatë zbatimit të strategjive të reja. Shkëmbimi i rezultateve, identifikimi i sfidave dhe diskutimi i mundësive për përmirësim pritet të kontribuojnë në pasurimin e praktikave mësimore dhe në ndërtimin e një qasjeje më të qëndrueshme ndaj zhvillimit social dhe emocional të nxënësve.
Përmes themelimit dhe funksionalizimit të këtij bordi, Universiteti i Tetovës dhe Northern Illinois University synojnë të thellojnë partneritetin akademik dhe ta shtrijnë atë përtej bashkëpunimit institucional, duke e lidhur drejtpërdrejt me nevojat dhe realitetin e shkollave. Përfshirja aktive e mësimdhënësve në këtë proces dëshmon rëndësinë e partneritetit ndërmjet universiteteve dhe komunitetit arsimor në avancimin e cilësisë së arsimit, zhvillimin profesional të kuadrit mësimor dhe përmirësimin e përvojës së të nxënit për nxënësit.

