Në vend është regjistruar një tjetër rast i vdekjes nga ethet e Nilit Perëndimor, njoftoi sot drejtori i Klinikës për sëmundje infektive, Fadil Cana.
Siç deklaroi Cana, bëhet fjalë për një pacient 73-vjeçar me një pasqyrë të rëndë klinike dhe me sëmundje shumë të rënda shoqëruese që kanë ndikuar në një përfundim jo të mirë.
“Pacienti ka qenë në klinikë për 22 ditë dhe ishte në gjendje shumë të rëndë që nga fillimi i pranimit. Ai u vendos në Njësinë e kujdesit intensiv dhe iu nënshtrua mbështetjes respiratore”, tha Cana.
I ndjeri është nga Shkupi, konkretisht nga lagja Aerodrom (Lisiçe e re).
Së bashku me të, gjithsej në vend pesë persona kanë vdekur nga ethet e Nilit Perëndimor.
Sipas drejtorit të Klinikës infektive, deri më sot janë shtruar 21 pacientë, 18 prej të cilëve kanë infektim me virus dhe formë neuroinvazive, ndërsa tre pacientë konsiderohen të dyshimtë.
“Pothuajse çdo ditë dikush shtrohet në spital dhe numri në klinikë është rreth 20 deri në 21. Katër pacientë të tjerë janë në gjendje të rëndë të përgjithshme dhe po trajtohen në Repartin për mjekim intensiv, ndërsa pacientët e tjerë janë të vendosur në neuroinfeksion. Të gjithë pacientët me pasqyrë të rëndë klinike janë në moshë të shtyrë”, ka thënë Cana.
Numri i përgjithshëm i pacientëve të shëruar dhe të liruar është 19.

