Tetëdhjetë milionë euro nga kredia hungareze u janë ndarë komunave shqiptare, theksoi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Halil Snopçe mbi ndarjen e mjeteve për zhvillim të barabartë rajonal dhe mbështetje për rajonin e Pollogut.

Durmishi nuk u pajtua me vlerësimin se rajoni i Pollogut është më i prapambeturi në shtet, duke theksuar se Qeveria po merr masa për të zvogëluar pabarazitë rajonale përmes investimeve dhe projekteve zhvillimore.

Sipas ministrit, mjete të konsiderueshme janë ndarë përmes projekteve të financuara me kredinë hungareze.

“Tashmë i kemi eliminuar pabarazitë me shpërndarjen e mjeteve që u ndanë të gjitha komunave ku i morëm nga kredia hungareze. Tetëdhjetë milionë euro janë shpërndarë vetëm në komunat shqiptare dhe qytetarët mund të shohin se sa projekte janë realizuar me mbështetjen e Qeverisë”, tha Durmishi.

" "

Ai theksoi se pyetjet që lidhen me shpërndarjen e mjeteve buxhetore janë në kompetencë të Ministrisë së Financave edhe të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, por theksoi se zhvillimi i barabartë rajonal është një parakusht i rëndësishëm për rritjen ekonomike dhe një standard më të mirë jetese.

Durmishi shtoi se mjetet për zhvillimin rajonal nuk sigurohen përmes një zëri të vetëm buxhetor, por përmes institucioneve të shumta dhe programeve të ndryshme buxhetore.

sqShqip