Ish kandidati për kryetar të komunës së Bërvenicës, Haqim Ramadani përmes një postimi në Fejsbuk u ka bërë thirrje qytetarëve që para garës për zgjedhje të jashtëzakonshme në këtë komunë të lihen pas përçarjet, etiketimet dhe ndasitë politike.

Ramadani thotë se që nga përfundimi i zgjedhjeve të vitit 2025 janë përdorur shpifje, etiketime dhe dezinformata me qëllim të përçarjes së banorëve të Bërvenicës dhe fshatrave përreth.

Ai thekson se kritikat ndaj tij i pranon si pjesë të garës politike, por kundërshton ndarjen e qytetarëve në “patriotë” dhe “tradhtarë” për shkak të bindjeve të tyre politike.

“4.224 votat që morëm nuk erdhën nga qielli. Erdhën nga Gurgurnica, Miletina, Çellopeku, Tenova, Radiovca, Bërvenica, Sedllarca, Bllaca dhe nga çdo pjesë e komunës. Ishte një rezultat rekord dhe një dëshmi e mbështetjes së banorëve”, shprehet Ramadani.

" "

Sipas tij, gara tashmë ka përfunduar dhe rezultati është dhënë, ndërsa qytetarët duhet të respektojnë të drejtën e secilit për të votuar për programin dhe kandidatin që e konsideron më të përshtatshëm.

“Unë i kam shërbyer çdo banori të Bërvenicës njësoj, pa dallim përkatësie etnike, fetare apo politike. Këtë e dëshmon puna ime dhe këtë mund ta vërtetojë çdo qytetar”, thekson Ramadani.

Ai apelon që në proceset e reja politike të mos ketë më akuza dhe etiketime, por bashkëpunim dhe unitet.

“Le ta lëmë të kaluarën pas. Le ta bashkojmë komunën. Le të flasim për punë, shërbime dhe mirëqenie. Komuna ka nevojë për unitet, jo për përçarje”, përfundon Haqim Ramadani.

sqShqip