BDI-së i kaluan dy dekada në pushtet, në tenderë dhe hajni, ndaj duket se nuk i mbeti kohë t’i mësojë ligjet. Pasi nuk u kaloi tregimi për Besën, tani u kapën pas Alternativës, por ende nuk po zbulojnë nëse BDI-në vërtet e udhëheq Ali Ahmeti, Bujar Osmani apo Artan Grubi nga arresti shtëpiak.
Në vend që të flasin marrëzira për ndonjë mashtrim, duhet ta dinë se VLEN-i në zgjedhjet lokale nuk garoi si parti politike e regjistruar.
Me fitoren në dhjetë komuna, partitë që përbënin VLEN-in fituan të drejta dhe detyrime konkrete që burojnë nga procesi zgjedhor. Pikërisht për këtë, kalimi i pesë faktorëve politikë në VLEN si një parti e vetme po zhvillohet në faza, në përputhje me ligjet dhe procedurat që përcakton rregullativa.
Këtu nuk ka asnjë sekret dhe asnjë mashtrim. Ka vetëm një procedurë ligjore, të cilën BDI-ja ose nuk e kupton, ose qëllimisht shtiret sikur nuk e kupton, për të prodhuar propagandë të lirë.
Alternativa, Besa, Lëvizja Demokratike, Aleanca për Shqiptarët dhe Vetëvendosja do të mbeten përgjithmonë në kujtesën e popullit shqiptar si faktorët politikë që e mundën BDI-në, ndërsa VLEN-i do ta dërgojë në pension të përhershëm politik këtë udhëheqje të pareformuar, e cila funksionon si një politbyro.

