Tetova vazhdon të jetë në qendër të debatit politik pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit të vitit 2007 për emërtimin e rrugëve dhe sheshit. Bashkimi Demokratik për Integrim në Komunën e Tetovës, ka parashtruar kërkesë për qasje të lirë në informata me karakter publik që të publikojë të gjithë korrespondencën me Gjykatën Kushtetuese, lidhur me procedurën që përfundoi me shfuqizimin e vendimit të vitit 2007 për emrat e rrugëve dhe sheshit të Tetovës.

“Vetë Gjykata Kushtetuese konstaton se Komuna e Tetovës, në katër raste brenda 1 viti, nuk e dorëzoi dokumentacionin e plotë të kërkuar. Në tri raste heshti edhe Qeveria. Më skandaloz është fakti se Gjykata i referohet nenit 73 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Ky nen përcakton qartë se, nëse Qeveria nuk përgjigjet brenda 60 ditëve nga pranimi i kërkesës, pëlqimi konsiderohet i dhënë dhe akti i komunës pranohet siç është propozuar”, deklaroi Bejza Abdiu, Anëtare e Këshillit te Përgjithshëm. Nga Bashkimi Demokratik për Integrim akuzojnë se komuna e Tetovës nuk kishte dërguar dokument në gjykatën kushtetuese dhe kjo sipas tyre ngre dyshime për pazare politike.

“Pra, sikur Komuna ta kishte dorëzuar provën se kërkesa për pëlqim i ishte dërguar Qeverisë, heshtja e Qeverisë nuk do të ishte pengesë juridike. Por Komuna nuk e dorëzoi këtë dokument as pas kërkesave të përsëritura të Gjykatës. Kjo ngre dyshime serioze për një pazar politik mes Qeverisë dhe pushtetit lokal në Tetovë. Bilall Kasami nuk mund të fshihet e as të amnistohet nga ky veprim. Ai mban përgjegjësi të plotë politike për këtë heshtje dhe për pasojat që rezultuan me shfuqizim të vendimit të këshillit komunal të vitit 2007.Presim përgjigje sa më të shpejtë brenda afatit ligjor”, tha Abdiu. (koha.mk)

sqShqip