April 28, 2024
Maqedoni

Arsovska akuzoi Mickoskin për ndodhitë në “Higjienën Komunale”

Pas mbledhjes me shtabin e krizës në orët e vona të së dielës, për ndodhitë në Ndërmarrjen Publike, Higjiena Komunale, kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, akuzoi se struktura mafioze bllokojnë Higjienën Komunale. E para e qytetit të Shkupit gjithashtu deklaroi se problemi me mbeturina ka filluar të zgjidhet, ndërsa sa i përket drejtoreshës së Higjienës Komunale, Kosana Nikoliç Mazneva, Arsovska e ka përkrahur të njëjtën dhe tha se Mazneva ka të drejtë.

DANELLA ARSOVSKA, KRYETARE E QYTETIT TË SHKUPIT

“Strukturat mafioze po bllokojnë punën e Higjienës Komunale për interesa personale. Fjala është për persona që mbi 15 veta kanë punuar vetëm një turn – turnin e tretë, në kundërshtim me ligjin dhe me Kontratën Kolektive. Shumica prej tyre nuk kanë ardhur në punë, tash disa prej tyre kanë bllokuar punën dhe nuk lejojnë që 1 300 të mbetur të bëjnë punën. Edhe pse nuk ishte paralajmëruar grevë, ata bënë bllokadë mafioze”

Arsovska akuzoi edhe kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, se ai fillimisht ka krijuar probleme, që pastaj të dalë e të bëhet sikur ofron zgjidhje, madje ajo e ka quajtur Mickoskin plehër.

DANELLA ARSOVSKA,KRYETARE E QYTETIT TË SHKUPIT

“Nuk do të lejojmë që interesat e mafias të dalin para interesave të qytetarëve. Dua t’i them Mickoskit se ai sonte është i ekspozuar, sepse dëshiron të krijojë probleme në kurrizin e qytetarëve, për pikë politike. Të tillë politikanë janë plehrat më të mëdha. Nga sonte me pastrimin e mbeturinave do t’i pastrojmë edhe ato”.

Duke treguar një sërë dokumentesh Arsovska tha se dy familje kanë punësuar nga 40 dhe 30 familjarë.

Sipas Arsovskës, Higjiena komunale është kthyer në normalitet, ka funksionuar ndërrimi i natës dhe ajo tha se shpreson që nga sot do të punojë me kapacitet të plotë.