May 13, 2024
Maqedoni

Kovaçevski takoi Taravarin: Folëm për dinamikën e punës në periudhën e ardhshme

Kreu i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski ka njoftuar se është takuar me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, shkruan TV21. Kovaçevski thotë se në takim është folur për realizimin e programit të Qeverisë dhe për dinamikën e punës në të ardhmen, por edhe për politikat që nënkuptojnë anëtarësimin e vendit në BE dhe ruajtjen e partneritetit me SHBA-në.

“Synimet tona të përbashkëta, mbi të cilat po punojmë me përkushtim si politikanë dhe partnerë koalicioni, janë vazhdimi i rrugës evropiane deri në anëtarësimin e plotë në BE dhe forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është obligim ndaj të gjithë qytetarëve dhe ndaj të ardhmes së vendit, sepse Maqedonia e Veriut nuk ka alternativë përveç rrugës evropiane”, thuhet në njoftimin e Kovaçevskit./tv21.tv