April 29, 2024
Maqedoni

AlternAtivA: Taravari të mbajë fjalën, ose ai të dorëhiqet ose ta shkarkojë ministrin Azir Aliu

Ditë më parë, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari tha se “nëse vërtetohet se ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu ka punësuar dhëndrin e tij si shef kabineti, do të dorëhiqet vet ai, ose do ta shkarkojë ministrinë Aliu”.
Të dhënat e Ministrisë së Shoqërisë Informatike flasin se Dritan Dauti është i punësuar si Këshilltar i posaçëm- Shef i Kabinetit të Ministrit për Shoqëri Informatike dhe Administratës.
Meqenëse ky pohim rezulton të jetë i saktë, i pranuar edhe nga vet ministri Azir Aliu në një konferencë për media, atëherë, kërkojmë nga Taravari që ta mbajë premtimin e dhënë dhe të jep dorëheqjen e tij ose të shkarkojë ministrin Aliu.
Po ashtu kërkojmë edhe nga Komisioni për Antikorrupsion që të hap lëndë për këtë rast të qartë të nepotizmit.
Rastet e tilla të punësimeve familjare, për fat të keq kontribuojnë në mënyrë direkte në ikjen e rinisë nga vendi, ikjen e profesionistëve për shkak se ata e shohin se nepotizmi vazhdon të lulëzojë në vendin tonë.
Një parti e cila hyri në qeveri duke pretenduar se do të qeverisë ndryshe, po shihet se shumë shpejtë absorboi format e qeverisjes të partnerit të tyre BDI-së, të cilët, njihen si kampion të nepotizmit. Mjafton të shihet fytyra e ministrit Aliu në pyetjen nëse e ka të punësuar dhëndrin e tij si shef kabineti për ta patur të qartë se në çfarë derexhe ka ra Aleanca për Shqiptarët.

Alternativa Shkup