May 14, 2024
Diaspora

Bisedë me mërgimtarin Idris Duka i cili 51 vite jeton në Gjermani: “Sot i vizitova arat e babës, fillova të qajë”!

Gjeneratat e mëhershme dibrane si stacion kryesor për migrim e kanë pasur Amerikën. Mërgimtarë dibranë në Amerikë ka pasur edhe më herët, por shkuarja masive ka ndodhur para rreth 60 viteve. Domethënë kanë kaluar 60 vite e tepër që kur ëndërra amerikane dhe ëndërra dibrane janë gërshetuar njëra me tjetrën duke krijuar shumë storje suskesi në biznes, në politikë, kulturë, sport, në veprimtari kombëtare, për të cilat është folur dhe është shkruar shumë.

Familjet Pilku, Rusi, Sela, Maqellara, Paçuku, Duka, Ramku, Kosovrasti, Uruçi, Fida, Marku, Mela, Papraniku, Qoku, Lleshi, Ballanca, Lata… janë vetëm disa familje dibrane që kanë bë emër përtej oqeanit. Secila më e suksesshme se tjetra. Ka edhe shumë tjera, për numërimin e të cilave duhet një tekst më i gjatë se ky që kemi përgatitur kësaj radhe.

Më vonë gjeneratat e reja dibrane kanë filuar të migrojnë edhe në Evropën Perëndimore, ku poashtu kanë arritur rezultate në të gjitha sferat.

Ka pasur edhe shumë raste kur dibranët pasi janë rregulluar me dokumente në vendet e Evropës Perëndimore, kanë vendosur të zhvendosen në SHBA.

Për krejt këto arsye, Idris Duka është një mërgimtar jotipik dibran. Ai para 51 viteve ka marë rrugën e mërgimit në Gjermani dhe sot e kësaj dite jeton në këtë shtet.

Si nodhi një dibran i gjeneratës së tij të mos emigrojë në Amerikë, por të mbetet në Evropë? Shkakun nuk mund as ta paramendoni, pa e lexuar rrëfimin e tij për portalin Lideri.mk.

“Nuk e di sakt të them të drejtën. Një herë kam qenë në Amerikë para 36 viteve musafir. Kam shumë familjar atje, por nuk mund të paramendoj të fluturoj sërish aq larg me aeroplan. Ndoshta ky ka qenë shkaku që kam qëndruar në Evropë më afër vendlindjes, e nuk kam shkuar më larg. Edhe prej Gjermanie në vendlindje tani e 51 vjet vij me veturë. Vetëm kur ka pasur ndonjë rast urgjent kam fluturar me aeroplan. Kam fobi”, thotë Idris Duka, të cilin gjithë dibranët e njohin si Idris Baca.

Rrëfimi i tij “endet” herë në të kaluarën, e herë në të tanishmen. Pjesën më të madhe të pushimit sivjet është duke e kaluar në Banjën e Banishtit, prej ku realizon vizitat tek shokët, miqtë e familjarët.

“Jeta ime tani është si pensionist. Herë në Gjermani e herë këtu. Po shfrytëzoj pushimin edhe për t’u shëruar këtu tek Banjat e Banishtit që është një vend fantastik, por edhe për të takuar miq e familjarë. Disa vinë këtu më vizitojnë, disa shkoj unë i vizitoj. Sot isha në fshatin Shpëtim (Spas), fshatin tim të lindjes. I vizitova arat që na i la baba. Kishin mbetur djerrë. Ishin mbuluar nga shkurret. Ishin rrënuar edhe muret e shtëpisë. Fillova të qajë. Arat që dikur mendoja t’ua lë trashëgimi fëmijëve të mij, siç mi la babai mua, tani po shndërrohen dal ngadal në xhungël. Si mos të qaj, kurfFshati im më solli parasysh fotografinë e fatit që ka kapluar të gjitha trojet shqiptare sot në Ballkan”, thotë Idris Baca. Emicionet nga vizita në fshat i kthehen edhe deri sa bisedon me ne. Sado që mundohet t’i fshehë, loti në sy ia nxjerr në shesh atë që e ndien në zemër.

I kthehet sërish rrëfimit për rininë e hershme. Rini e përfunduar para kohe nën barrën e varfërisë dhe detyrimit për të marë rrugën e gurbetit, për të siguruar kafshatën për vete dhe për familjen. por edhe për të shpëtuar nga presioni i regjimit jugosllav.

“Ashtu ishin ato kohë. Kishte varfëri në njërën anë, kurse presion politik në anën tjetër. Regjimi nuk linte rehat të rinjtë shqiptarë që kishin shpirt rrebeli. Mërgimi ishte rrugdalje. Në Gjermani shkova në vitin 1972. Shkuam me kontratë një vjeçare. Asokohe Gjermanisë i nevojiteshin shumë punëtorë. Nga pesë autobusë në ditë niseshin nga Dibra dhe rrethina për në Shkup përplot me djem të rinj. Aty na bënin kontrollet sistematike dhe menjëherë na caktonin firmën në Gjermani ku do të na dërgojnë. Shkova për një vit u bënë 51 vite. Kështu paska qenë e shkruar”.

Si mërgimtar në Gjermani, që është shoqëruar edhe me shokë nga pjesët tjera të Maqedonisë, nga Kosova, Lugina e Preshevës e nga Mali i Zi, Idris Duka nuk e ka fare problem që kur zhvillon bisedë me gazetarë jo dibranë bisedën ta “titrojë” edhe me dialekt kosovar, ose të ndonjë rajoni tjetër shqiptar.

Si një rrebel në vendlindje, nuk ka mundur të rrijë i qetë as në mwrgim e të mos ngrisë zërin për lirinë e shqiptarëve. Idris Duka u takon grupeve të para që janë kyçur në lëvizjet kombëtare të formuara në Gjermani. Përveç kontributit material, ka dhënë edhe kontribut organizativ.

“Gati njëzet vite pjesëmarrje në organizime, në protesta dhe në tubime të ndryshme për lirinë e Kosovës dhe gjithë shqiptarëve të ish Jugosllavisë. Kam pasur fat shumw herë gjatë asaj kohe ta takoj Fehmi Aganin, sepse djali i tij ka jetuar afër meje. Ka qenë mysafir profesor Agani edhe në shtëpinë time. Vrasja e tij ishte një humbje e madhe për Kosovën dhe gjith shqiptarët. Ishte njeri që i nevojitej Kosovës pas çlirimit, ashtu siç iu gjet deri sa ishte e robëruar. Po të ishte gjallë profesor Agani pas çlirimit, kontributi i tij do të ishte jashtëzakonisht i madh bashkë me Rugovën në ndërtimin e Kosovës së pavarur”, rrëfen Duka.

Malli për vendlindjen sa vjen e shtohet. Shpirti i çdo mërgimtari, thotë është i ndarë më dysh. Një pjesë në Perëndim, ku jetojnë tashmë djemt, vajzat, nipërit e mbesat, e një pjesë në vendlindje.

“Por parashtrohet pyetja se çka ka mbetur tani në vendlindje. Shtëpi më dyer të mbyllura, ara të lëna djerrë, banka të zbrazura shkollore. Ndoshta do të thoni se skam të drejtë unë të flas në këtë temë, sepse edhe vetë kam shkuar në mërgim. Ore vëllezër, ndryshe kanë qenë atëherë kohët, ndryshe janë tani. Në atë kohë familjet kishin nga 7 ose 8 fëmijë. Nga dhjetë. Dikush shkonte në Perëndim, por shumica mbeteshin këtu. Sot sa fëmijë kanë familjet shqiptare? Një ose dy, të rralla familjet që kanë nga tre fëmijë. Të gjithë po shkojnë, askush nuk po mbetet. Ku kemi ore ato parti shqiptare që nuk ndërmarin asgjë që të ndërprejnë ikjen e rinisë tonë?”, pyet me revoltë, duke konstatuar: “Çfar parti e çfar hamami. Bile bile po i detyrojnë rininë të ikin edhe më shumë!”.

E mbarojmë bisedën. Nuk mund të flasë më shumë, sepse thotë se nga revolta do të fillojë t’i kritikojë dhe shajë partitë dhe politikanët.

Propozojmë ta ndërrojmë temën e bisedës deri sa ta përfundojmë kafen. Kurse me mërgimtarët si Idris Duka çdo temë bisede është e këndshme.