Në konferencën e sotme për media, anëtari i Kryesisë Qendrore të BDI‑së, Faton Aliti, vlerësoi se emërimi i Ivan Stoilkoviqit si ministër i vetëqeverisjes lokale përbën sinjal politik për, siç tha, rishikimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Aliti theksoi se lëvizja e Stoilkoviqit nuk është thjesht ndryshim kadrovik, por sipas tij, paralajmërim për hapjen e çështjes së decentralizimit dhe ndarjes territoriale të vitit 2004.

Ai akuzoi se gjatë periudhës së kaluar janë ndërmarrë hapa që, sipas BDI‑së, e dobësojnë zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke përmendur gjuhën shqipe, heqjen e balancuesit dhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.

“Kur sot flitet për uljen e numrit të komunave nga 80 në 50, nuk bëhet fjalë për racionalizim administrativ, por për rihapje të një çështjeje që ishte mbyllur me marrëveshje paqësore”, tha Aliti.

" "

Nga BDI theksuan se ndarja territoriale e vitit 2004 është pjesë e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe se çdo përpjekje për ta ndryshuar atë do të përballet, siç u tha, me rezistencë të fortë politike, institucionale dhe qytetare.

Aliti i bëri thirrje Qeverisë të mos hapë çështje të lidhura me organizimin territorial, por të fokusohet në forcimin e vetëqeverisjes lokale, decentralizimin fiskal dhe luftën kundër korrupsionit. Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit, gjuha shqipe, përfaqësimi i drejtë, decentralizimi dhe ndarja territoriale e vitit 2004 përbëjnë “vija të kuqe” që nuk duhet të tejkalohen.

sqShqip