Tregtia online në Dibër duket se do të vazhdojë të rritet, duke reflektuar një transformim të plotë në zakonet e konsumatorëve dhe ekonominë lokale. Me rritjen e përdorimit të internetit dhe ofertave konkurruese, blerjet digjitale po kthehen në një mënyrë jetese për dibranët e çdo moshe – ndërsa pakot që mbërrijnë çdo ditë janë dëshmia më e qartë se “shopimi” virtual nuk është më luks, por përditshmëri
Dibër, 12 nëntor – Tregtia elektronike po fiton gjithnjë e më shumë terren në Dibër, ku porositë online janë shndërruar në pjesë të përditshmërisë së banorëve. Sot, pothuajse çdo familje dibrane bën blerje në internet – nga rrobat dhe aksesorët, deri te pajisjet elektronike e produktet shtëpiake. Ky fenomen përfshin të gjitha grupmoshat, nga adoleshentët 17-vjeçarë deri te pensionistët 70-vjeçarë, ndonëse më të zellshmit në blerjet online mbeten të rinjtë. Sipas të dhënave të kompanive të shpërndarjes që veprojnë në Dibër, numri i porosive është rritur ndjeshëm gjatë këtij viti, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në rritjen e të ardhurave të sektorit të kargos.
“Kemi më shumë punë se kurrë më parë. Çdo ditë dorëzojmë dhjetëra paketa, kryesisht me rroba, këpucë dhe aksesorë. Kjo ka sjellë edhe punësime të reja, sepse kërkesa është në rritje”, thotë A.P., një shpërndarës me përvojë.
Në epokën digjitale, blerjet online janë bërë simbol i komoditetit dhe shpejtësisë: me vetëm disa klikime, konsumatorët mund të blejnë gjithçka, pa lëvizur nga shtëpia. Por, sipas studimeve të fundit, ekzistojnë dallime të dukshme mes grave dhe burrave në mënyrën se si i përdorin platformat e tregtisë elektronike.
Gratë janë më aktive në blerjen e produkteve që lidhen me modën, veshjet dhe kozmetikën, ndërsa burrat fokusohen në pajisje elektronike dhe produkte teknologjike. “Kam disa vite që blej online nga faqe të ndryshme. Sivjet kam bërë disa porosi nga ‘Temu’, por edhe nga platformat e Kosovës. Produktet më kanë ardhur siç i kam porositur dhe çmimet janë të përballueshme për xhepin tim”, tregon Jeta, 32 vjeç, e cila punon në një institucion publik në Dibër. Ndërsa Lira, e apasionuar pas kozmetikës, rrëfen me humor se tashmë “e ka tepruar me blerjet online”.
“Shumica e dërgesave që më vijnë janë grim dhe produkte për kujdesin e fytyrës. Është e lehtë, praktike dhe shpesh më lirë sesa në dyqanet lokale”, thotë ajo.
Nga ana tjetër, burrat janë më të prirur drejt produkteve praktike e teknike, duke kërkuar cilësi dhe funksionalitet. “I dua veglat dhe çdo gjë që lidhet me makinën. Online gjej çmime më të lira dhe më shumë zgjedhje”, tregon Dritani, një entuziast i automobilizmit. Pavarësisht ndryshimeve në preferenca, të dy gjinitë pajtohen se blerjet online kursejnë kohë, ofrojnë më shumë zgjedhje dhe janë më komode. Por ky trend nuk ka kaluar pa pasoja për tregun tradicional: shumë dyqane në Dibër raportojnë ulje të ndjeshme të shitjeve në krahasim me disa vite më parë.
“Ka klientë që duan t’i provojnë produktet para se t’i blejnë, por gjithnjë e më shumë po kalojnë te online-i. Kjo na ka ulur xhiron dukshëm”, thotë një pronar dyqani veshjesh në qendër të qytetit.
Tregtia online në Dibër duket se do të vazhdojë të rritet, duke reflektuar një transformim të plotë në zakonet e konsumatorëve dhe ekonominë lokale. Me rritjen e përdorimit të internetit dhe ofertave konkurruese, blerjet digjitale po kthehen në një mënyrë jetese për dibranët e çdo moshe – ndërsa pakot që mbërrijnë çdo ditë janë dëshmia më e qartë se “shopimi” virtual nuk është më luks, por përditshmëri. (koha.mk)

