Nga: Prof. Etem Xheladini

Është koha e fundit që politikëbërësit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut të zgjohen nga iluzioni i tridhjetë viteve dhe të kuptojnë se shqiptarët nuk mund të trajtohen më si qytetarë të dorës së dytë. Mjaft më me rolin e “partnerëve të nevojshëm” që përdoren vetëm kur partitë maqedonase kanë nevojë për vota apo për të mbushur kolltuqet qeveritare, ndërsa shqiptarëve u hidhet ndonjë “kockë për ta lëpirë”.
Në këto turbullira politike, ku elita maqedonase përpiqet të mbulojë dështimet e veta duke manipuluar me çështje etnike, së fundi me përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë, po shihet qartë se ky shtet nuk mund të ecë as drejt Bashkimit Evropian, as drejt së ardhmes, pa shqiptarët.
Një çerek shekulli premtime të harruara, gjatë tre dekadave e gjysmë, madje edhe pas luftës së vitit 2001, të drejtat e shqiptarëve nuk u avancuan. Marrëveshja e Ohrit, e cila duhej të ishte themel për barazi të vërtetë, mbeti e cunguar po edhe nuk u zbatuar. Madje, shumë nga parimet e saj sot janë degraduar.
Në çdo cikël zgjedhor, shqiptarëve u janë dhënë premtime të mëdha, por realiteti ka qenë i hidhur: nënçmim, përbuzje dhe mashtrim. Politika shqiptare, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, e ka humbur besueshmërinë sepse ka ndjekur interesa personale dhe jo ideale kombëtare. Në vend që të përballen me “përbuzjet ndaj shqiptarëve” të politikës maqedonase, shumë politikanë tanë heshtin, duke u bërë bashkëpjesëmarrës në amnistimin moral e politik të atyre që për vite të tëra kanë mohuar të drejtat e shqiptarëve.
Padrejtësitë që nuk harrohen, ku është drejtësia për Sopotin, Brodecin, Monstrën, Telin Kumanovën, Harun Aliun, Ridvanin, Rexhailin, Vaksincën, Agim Belulin? Kush mban përgjegjësi për proceset e montuara politike dhe për familjet që për dy dekada e gjysmë kanë jetuar me plagën e padrejtësisë? A do të ketë ndonjëherë drejtësi për të voglin Almir Aliu, i cili u shkel me vetur dhe drejtësia iu mohua?
Tani na thuhet se “nuk është koha për kërkesat e shqiptarëve”, megjithëse Maqedonia e Veriut është pjesë e NATO-s. Nëse tani nuk është koha, kur do të jetë?
Pa shqiptarët s’ka BE, s’ka barazi, s’ka shtet, është koha t’u thuhet hapur politikëbërësve maqedonas:
“Ku mendoni se mund të shkohet drejt Bashkimit Evropian pa ne shqiptarët, element shtetformues të këtij vendi, dhe pa gjuhën shqipe zyrtare në çdo institucion?”
Ky shtet është ndërtuar edhe me mundin, sakrificën dhe taksat e shqiptarëve. Asnjë proces politik, as Kushtetutë, as integrim, nuk ka legjitimitet pa ne shqiptarët. Pa barazi të shqiptarëve Maqedonia e Veriut nuk mund të jetë shtet funksional, demokratik dhe evropian.
Koha për përgjegjësi dhe zgjim kombëtar, shqiptarët nuk kërkojnë më fjalë në fushata, por rezultate të prekshme. Nuk kërkojnë më premtime, por drejtësi dhe barazi të vërtetë.
Rinia po ikën çdo ditë, fshatrat po zbrazen, pleqtë mbeten të vetmuar, ndërsa politikanët flasin për “suksese” imagjinare. Ky është momenti për zgjim kombëtar, për kërkesa të qarta dhe përfaqësim dinjitoz. Maqedonia e Veriut nuk mund të ndërtojë shtet të drejtë pa drejtësi për shqiptarët dhe nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian pa i njohur ata si element shtetformues dhe pa gjuhën shqipe zyrtare në çdo institucion të shtetit.

Kumanovë, Nëntor 2025

sqShqip